Lajme

“Shukran Katar”


Të enjten e kaluar presidenti libanez Michel Aoun, falënderoi Shtetet e Bashkuara për ndërmjetësimin e tyre për marrëveshjen për kufirin detar me Izraelin.

Nuk harroi të falënderojë edhe Francën që kontribuoi në suksesin e negociatave dhe shtoi gjithashtu se “të gjitha vendet vëllazërore që ndihmuan Libanin për të marrë të drejtat e tij, veçanërisht Katari”.

Ky ishte konfirmimi i parë zyrtar i rolit të Katarit në këtë rast, rezultati i të cilit hap rrugën për kërkimin e hidrokarbureve në Mesdheun lindor.

Gjatë gjithë periudhës së negociatave, në prapaskenë qarkulluan informacione diplomatike për një përfshirje të Doha-s zyrtare.

Kjo, veçanërisht me amerikanët, për të finalizuar marrëveshjen dhe me dëshirën për të investuar në Liban në fillim të operacioneve të nxjerrjes së tyre.

Por nga ana e Katarit, deri më tani nuk është bërë asnjë njoftim zyrtar.

“Katari ka shprehur gatishmërinë e tij për të investuar në Liban, veçanërisht në operacionet e nxjerrjes”, tha një burim diplomatik arab për gazetën libaneze “L’Orient-Le Jour”.

Nuk ka asnjë informacion se si do të ndërhyjë Katari në aktivitetin e nxjerrjes kur dihet që të përfshirë janë kompania italiane “Eni” dhe francezët e “TotalEnergie”.

“Megjithatë, ai nuk u përfshi në negociata, veçanërisht me izraelitët. Ishte më shumë një rol mbështetës për amerikanët në ndërmjetësimin e tyre, i ngjashëm me rolin që ai luan në lehtësimin e negociatave midis Teheranit dhe Washington-it për çështjen bërthamore”, vazhdoi burimi për gazetën vendase.

Por pak informacione janë arritur të mblidhen.

Prej disa muajsh, Doha zyrtare ka pritur takime të aktorëve të lidhur me negociatat detare, larg vëmendjes ndërkombëtare.

Në muajin shkurt, lideri i Lëvizjes Patriotike të Lirë, Gebran Bassil, vizitoi vendin për të diskutuar me ndërmjetësin amerikan Amos Hochstein mënyrat për të arritur një marrëveshje me izraelitët për rrjedhën e kufirit.

Një burim politik libanez i informuar për përmbajtjen e diskutimeve pohoi se ishte diplomati amerikan ai që këshilloi autoritetet libaneze të diskutonin me Katarin mundësinë e investimit në nxjerrjen e gazit nga blloqet libaneze.

Katarianët nuk kanë dhënë një përgjigje përfundimtare, ndërsa kanë thënë se janë të gatshëm të ndihmojnë.

“Është një çështje kohe për Doha-n”, tha një diplomat arab për gazetën në kushte anonimiteti.

Ajo është gjithashtu e lidhur me miratimin e komunitetit ndërkombëtar.

Megjithatë, përpjekjet për të negociuar me Doha-n kanë vazhduar me synimin për të arritur një marrëveshje kufitare detare.

Pas tërheqjes së kompanisë ruse “Novatek” nga konsorciumi gushtin e kaluar, filluan hapat e parë të diplomacisë me Katarin.

Synimi ishte për të parë mundësinë që Katari të zëvendësonte kompaninë ruse me qëllim që më pas të luajë një rol në skenën libaneze.

I pyetur për këtë dy javë më parë gjatë një interviste në kanalin libanez “LBCI”, nënkryetari i Dhomës Elias Bou Saab pohoi se Katari “nuk është i përfshirë në negociatat në vazhdim me Izraelin”, duke shtuar megjithatë se “Emirati, i cili ka flotën më të madhe të transportit të gazit të lëngshëm, do të luajë një rol më vonë nëse gjërat shkojnë mirë”.

Është Katari, Emirati i Gjirit, i cili po imponohet gjithnjë e më shumë si ndërmjetës në rajon dhe që mban marrëdhënie të mira me të gjitha forcat politike në Liban, por edhe me të gjitha fuqitë e huaja rivale dhe që mund të luajë të ardhmen një rol ekonomik, por edhe politik në rajon dhe në skenën lokale.

Në vitin 2008, Katari sponsorizoi një marrëveshje ndërlibaneze që i dha fund një krize të paprecedentë politike dhe institucionale dhe vendosi një kthim në dialog dhe konsensus.

Asokohe, vendi rrezikonte të zhytej në një luftë të re civile pas përleshjeve të 7 majit, kur elementë të armatosur të Hezbollah-ut pushtuan Bejrutin dhe malet në rrethina.

“Vetëm Katari ia doli të bindë Michel Aoun për të pranuar marrëveshjen që parashikonte zgjedhjen e Michel Sleiman si President të Republikës”, kujton një figurë afër koalicionit të 14 marsit.

Në vitin 2006, pas luftës 33-ditore midis Izraelit dhe Hezbollah-ut, Katari ndihmoi në rindërtimin e Libanit.

Të gjithë i mbajnë mend pankartat e vendosura në rrugët kryesore të vendit me shprehjen e famshme të falënderimit “Shoukran Katar”.

Dhe në fillim të korrikut, emirati i pasur vendosi të shpërndajë shumën prej 60 milionë dollarësh për ushtrinë libaneze.

Kjo, si pjesë e mbështetjes së saj për vendin e shkatërruar nga kriza më e keqe ekonomike në historinë e tij.

Ndihma financiare u njoftua nga ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammad bin Abdel Rahman al-Thani, i cili ishte në Bejrut për të marrë pjesë në një takim të Ligës Arabe.

Diplomati i Katarit më pas do të zhvillonte takime me disa parti politike larg mediave.

Madje Hezbollah-u është mbajtur i informuar për përmbajtjen e këtyre diskutimeve, mëson “L’Orient le Jour” nga një burim i afërt me partinë shiite.

A mund të flasim pra për një rol edhe më të avancuar të Doha-s në skenën libaneze, veçanërisht duke pasur parasysh afatet e rëndësishme politike të planifikuara, sot që është finalizuar marrëveshja për kufirin detar?

“Doha është e prirur të koordinojë me vendet e tjera arabe, veçanërisht Arabinë Saudite, për dosjen libaneze”, u përgjigj diplomati arab i lartpërmendur. “Mbi të gjitha, Katari nuk dëshiron të provokojë mbretërinë, por më tepër kërkon të pajtojë pikëpamjet për të arritur kompromise në periudhën në vijim”, vazhdoi ai.

 

As luftë as paqe, akordi detar mes Libanit dhe Izraelit

Libani dhe Izraeli arrijnë ‘marrëveshje historike’ për kufijtë detarë

Historike, Libani pranon kërkesat e Izraelit për kufirin detar

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore