Shqipëria

Shuhen 17 vatra zjarri, disa vijojnë të mbeten problematike


Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njoftoi se, si rezultat i punës së pandërprerë të forcave operacionale u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e 17 vatrave të zjarrit në territorin e vendit.

Megjithatë, disa vatra  vijojnë të mbeten problematike.

AKMC bëri të ditur se, prej ditës së djeshme vijon puna nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile për shuarjen e zjarrit në fshatin Zogaj të bashkisë Tropojë.

100 Forca të Armatosura u janë bashkuar përpjekjeve të nisura prej dje, të forcave dhe kapaciteteve operacionale të pushtetit vendor të mbështetura nga 3 helikopterët e KFOR bashke me një ekip nga Kosova. Falë këtyre përpjekjeve është bërë e mundur shmangia e rrezikut për banesat e lagjes Hajdarmataj.

Po ashtu, puna e forcave operacionale ka bërë që të shmanget kalimi I flakëve drejt banesave në vatrat e zjarrit në fshatin Malecaj dhe fshatin Torovicë, në bashkinë Lezhë, ku gjithashtu janë angazhuar në ndihmë të pushtetit vendor efektivë të FA.

Po punohet nga frocat në një tjetër vatër aktive në fshatin Hoten, Vau Dejës, në vendgrumbullimin e mbetjeve të bashkisë Vlorë, për të cilin janë angazhuar kapacitetet në nivel qarku të mbështetura nga kapacitete të pushtetit qendror si dhe në një vatër zjarri në bashkinë Konispol, fshati Shalës.

AKMC u bën thirrje për angazhimin maksimal për menaxhimin e situatave të shkaktuara nga zjarri të gjitha institucioneve dhe strukturave të sistemit të mbrojtjes civile si dhe qytetarëve që të raportojnë në kohë në numrat e emergjencave për çdo problematikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore