Kosova

Shuarja e Task-Forcës anti-korrupsion, Parlamenti Evropian i shqetësuar


Raporti i prezantuar në Parlamentin Evropian për Kosovën ka gjetur shumë ngecjeje në luftën kundër korrupsionit. Shuarja e Task-Forcës brenda Policisë së Kosovës për luftën kundër korrupsionit, shihet me shqetësim nga PE-ja.

Në tetor të vitit të shkuar, Task-Forca edhe pse ishte një nga hallkat kryesore që për një dekadë u mor me hetim të korrupsionit të profilit të lartë, me vendim të Qeverisë Hoti, u shua.

Arsyetimi i kryeministrit Hoti ishte që me shfuqizimin e këtij vendimi “do të bëhej ndarja e pushteteve”.

Po ashtu në këtë raport janë shprehur shqetësime edhe për shuarjen e Ministrisë për Integrim, teksa është mirëpritur përkushtimi i Kosovës në avancimin drejt Evropës në këtë raport Kosova kritikohet për progresin e paktë në implementimin e Agjendës për Reforma Evropiane.

Është mirëpritur edhe korniza ligjore për luftimin e korrupsionit, por janë hasur ngecje në implementim.

Po ashtu është kërkuar që sistemi drejtësisë të ketë më shumë pavarësi e të ndalet ndërhyrja në rastet e profilit të lartë dhe është kërkuar luftë më e madhe në konfiskimin e pasurisë së fituar jashtëligjshëm.

Kritika janë adresuar edhe për ish-deputetët, pasi Kuvendi i Kosovës ka pasur mungesë të kuorumit vazdhdimisht.

Shqetësim tjetër është cekur edhe ndotja e madhe e ajrit.

Në Raportin për Kosovën është përshëndetur heqja e tarifës ndaj mallrave serbe dhe atyre që vijnë nga Bosnja e Hercegovina, ndërsa është vlerësuar edhe Marrëveshja për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë e nënshkruar më shtator në Uashington.

Është theksuar mungesa e liberalizimit të vizave edhe pse kushtet janë përmbushur.

PE-ja ka përsëritur se dialogu me Serbinë është prioritet dhe parakusht për pranim në Bashkimin Evropian.

Është kërkuar angazhim konstruktiv në dialog në kërkim të një marrëveshjeje ligjërisht obliguese. Po ashtu është kërkuar më shumë punë lidhur me kërkesat e familjeve që kanë persona të zhdukur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore