Lajme

Shtyhet procesi mësimorë deri më 13 shtator


Ilustrim

Njëra ndër masat kundër pandemisë COVID-19 të ndërmarra sot nga Qeveria e Kosovës është edhe shtyrja e procesit mësimor deri më 13 shtator.

Pavarësisht se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollorë nga ana e Drejtorive të shkollave, Drejtorive Komunale të Arsimit, procesi mësimor do të shtyhet.

Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Ajo ka thënë se ministria ka punuar edhe një skenar për fillimin e procesit mësimorë.

“Kemi shtuar edhe skenarin për rikthimin e plotë dhe të sigurt të fëmijëve në shkolla. Kemi shikuar protokollet për rikthimin e fëmijëve në shkolla. Kemi filluar furnizimin me tekstet mësimore dhe po ashtu, jemi siguruar që krahas me komuna të punojmë që në secilën shkollë të kemi maska, dezinfektues dhe mjetet e nevojshme për të siguruar respektimin e të gjithave masave të rekomanduara”, ka thënë ajo.

Mbi 70% e stafit mësimor janë të vaksinuar

Nagavci ka njoftuar për procesin e vaksinimit të mësimdhënësve me dozën e parë dhe të dytë të vaksinës anti-COVID-19.

“Ju njoftoj se sipas të dhënave të Drejtorive Komunale të Arsimit, deri më datën 25 të këtij muaji, jemi njoftuar se më shumë se 72.30% të mësimdhënësve dhe stafit tjetër janë vaksinuar tashmë”.

“Prej tyre 34.32% kanë qenë të vaksinuar me të dy dozat e vaksinës, ndërsa të tjerët veçse e kanë përcaktuar terminin për vaksinim, por tashmë veç kjo nuk mjafton”.

Ajo ka kërkuar që të vaksinohen edhe prindërit dhe të bëhet e mundshme kthimi në shkolla me prezencë fizike.

“Duhet të kemi një vaksinim të plotë dhe një bashkëpunim të shtuar edhe me prindërit dhe me qytetarët në mënyrë që të sigurohemi që rikthimi i fëmijëve në shkolla është një rikthim i sigurt i cili e mbron shëndetin publikë”, ka thënë ajo.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci

Pritjet e ministres janë që të gjithë mësimdhënësit deri më datën 13 shtator të jenë të vaksinuar.

“Andaj me këtë situatë unë pres që deri me 13 shtatorë të gjithë mësimdhënësit dhe personeli tjetër në shkolla të jetë i vaksinuar dhe në anën tjetër, numri më i madh i prindërve e komunitetit tjetër në mënyrë që kthimi në shkolla të jetë i sigurt për të gjithë fëmijët tanë”.

Gjatë konferencë ministrja Nagavci ka bërë të ditur se institucionet parashkollore gjegjësisht çerdhet dhe kopshtet dhe qendrat e kujdesit ditorë, do të vazhdojnë të punojnë duke respektuar në tërësi rekomandimet dhe udhëzuesit në fuqi, duke përfshi edhe distancën e numrin e lejuar të fëmijëve.

Ajo ka treguar edhe një skenar të mundshëm të kthimit në shkolla me prezencë fizike pas datës së 13 shtatorit.

“Ndërkaq me rikthimin me 13 shtator udhëzueseve të cilët i përfshin tashmë skenarët A, B, C, mësimit të kombinuar dhe mësimit në distancë, do të i shtohet edhe skenari me pjesëmarrje të plotë në shkolla”.

Kjo nënkupton që në të gjitha shkollat ku numri i nxënësve nuk e kalon numrin 25, që janë shkolla kryesisht edhe në zonat rurale pra, numrin e nxënësve në paralele do të mundësohet fillimi i mësimit me orar të plotë ka thënë ajo.

“Gjithsesi ky do të mbetet një vendim që do të merret në koordinim me taskforcat në nivel komunal”, ka përfunduar Nagavci.

Këshilli i Prindërve i Komunës së Prishtinës mirëpret vendimin për shtyrjen e procesit mësimor

Me vendimin e Qeverisë për shtyrjen e procesit mësimorë deri më 13 shtator është pajtuar edhe KPKP.

“Urojmë që deri atëherë të kemi situatë më të mirë, përkundër që është mjaft vështirë të parashikohet përmirësim i madh”.

Ata kanë kërkuar që të ketë edhe mësimdhënës rezervë dhe platformë funksionale për mësim në distancë.

“Ne vazhdojmë të kërkojmë e presim që arsimi të jetë më me përparësi sesa deri tani nga Qeverisja. Kjo nënkupton që së paku të kemi mësimdhënës rezervë dhe platformë për mësim në distancë që funksionon në gjithë vendin, nëse do të punojmë se disa skenarë (që duket të jetë e pashmangshme). Me keqardhje e themi që asnjëra nga këto ende nuk është plotësuar”, ka njoftuar Këshilli i Prindërve i Komunës së Prishtinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore