Shqipëria

Shtyhet gjyqi i iranianit të akuzuar për spiunazh në Shqipëri, mungon përkthyesi


Seanca gjyqësore e iranianit Bijan Pooladrag, ndaj të cilit rëndojnë akuzat për “aktivitet terrorist”, është shtyrë.

Kjo pasi, u vendos të hënën e 27 qershorit, në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) se mungon përthyesi.

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar gjykimin dhe dënimin e tij për aktivitet terrorist.

Ai akuzohet se ka konsumuar elementet e veprave penale, “Kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur”, “Organizata Terroriste”, “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.

Në tetor të vitit 2020, Gjykata e Tiranës vendosi masën “arrest me burg” për shtetasin iranian, Bijon Poolandrag.

Ai u kap në operacionin “Hija”, pasi ndërhynte në telefonat e të tjerëve, merrte kodet dhe vidhte të dhënat.

Iraniani deklaroi në gjyq se ka ikur nga Irani, sepse i rrezikohej jeta.

“Kam ikur nga Irani, sepse atje ndihesha i rrezikuar për jetën. Jetoj me 300 euro në muaj, që marr si asistencë nga një organizatë iraniane”, deklaroi asokohe.

Megjithatë, para Gjykatës 46-vjeçari nga Irani mohoi akuzat, duke thënë se nuk ka asnjë lidhje me spiunazhin apo me sulmet kibernetike.

Shtetasi nga Irani hyri në Shqipëri në 2016. Ai, përmes një aplikacioni, komunikonte me të tjerë duke u lidhur me numrat e telefonit të shtetasve të ndryshëm.

Sipas Policisë, iraniani siguronte kodin e verifikimit të aplikacionit duke e bërë të disponueshëm në aparatet e tij kompjuterike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore