Kosova

Shtyhet gjykimi fillestar ndaj Sveçlës dhe deputetëve të LVV-së për hedhjen e gazit lotsjellës


Foto nga hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend.

Gjykimi ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes Fitore Pacolli dhe Salih Zyba, të cilët akuzohen se në mars të 2018-ës kishin ndezur gaz lotsjellës, ku kishin pamundësuar mbajtjen e seancës plenare në Kuvendin e Kosovës, është shtyrë.

Kjo për shkak se në këtë rast ka munguar Drita Millaku.

Gjyqtari Sabit Sadikaj, është arsyetuar duke thënë se janë në pritje të përgjigjes së saj për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.

Sveçla dhe deputetët e LVV-së, po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Më 12 janar të 2023-ës, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është deklaruar e pafajshme.

Më 18 maj të 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë, në mungesë të provave, i kishte liruar nga akuzat për armëmbajtje pa leje, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetin Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, për akuzën e posedimit të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Mirëpo, kundër këtij aktvendimi ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku në seancën e mbajtur më 6 tetor 2022, kjo prokurori kishte kërkuar kthimin e rastit në rigjykim.

Më pas, Gjykata e Apelit më 14 tetor 2022, ka marrë vendim me të cilin ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke e kthyer çështjen në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur në 2016, Pal Lekaj, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu akuzohen se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore