Lajme

Shtyhet diskutimi për Byronë Shtetërore, opozita kërkon prezencën e kryeministrit Kurti


Kuvendi i Kosovës

Disktuimi për Projektligjin për Byronë shtetërore për verifikim dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme – ani pse në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës është prezantuar nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu- është shtyrë për seancën e ditës së enjte, me kërkesë të partive opozitare, pasi këta të fundit kanë kërkuar prezencën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Për Ministren Haxhiu përmes këtij projektligji Kuvendi i Kosovës do të themelojë një mekanizëm të veçantë sikurse Byroja që do të jetë organ i pavarur e kontrollohet nga Kuvendi dhe për punën e tij i përgjigjet vetëm atij.

Albulena Haxhiu

Megjithatë, njohësit e politikave administrative konsiderojnë se krijimi i një Byroje shtetërore, e cila do të jetë në shërbim të verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme është jetike, por se të njëjtit janë skeptikë për sa i përket funksionimit të saj marrë parasysh efikasitetin e prokurorive dhe gjykatave në vend.

Sipas tyre, Byroja për konfiskimin e pasurisë mund të shndërrohet në një organ politik, pasi zgjedhja e drejtorit të këtij institucioni do të bëhet me shumicë të thjeshtë të votave në Kuvend, e si rrjedhojë një gjë e tillë shkakton një nivel të ulët të objektivitetit.

Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, për Albanian Post kishte potencuar faktin se Byroja nuk është e pavarur në kuptimin objektiv.

“Drejtori i saj, i cili është autoriteti kryesor për fillim të procedurave të verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë, zgjidhet me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi dhe mund të shkarkohet lehtësisht. Kështu, Drejtori i Përgjithshëm— dhe rrjedhimisht Byroja— do të jenë objektivisht të varura nga partitë politike që zotërojnë shumicën në Kuvend”, kishte pohuar Zekaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore