Kosova

Shtrenjtohet çmimi i biletës për të udhëtuar me autobus në dy relacione


Stacioni i Autobusëve në Prishtinë.

Çmimet për të udhëtuar me autobus në relacionet Mitrovicë – Vushtrri – Prishtinë dhe anasjelltas kanë pasur ndryshime në rritjen e çmimeve.

Nga e mërkura e 9 marsit, për një biletë autobusi nga Mitrovica në Prishtinë, çmimi do të jetë 1 euro 80 cent, kurse për studentë 1 euro 50 cent, ndërsa çmimi i mëparshëm për këtë relacion ishte 1 euro.

Edhe çmimorja për të ardhur nga Vushtrria në Prishtinë është rritur në 1 euro e 20 cent, për studentë 1 euro.

Kjo çmimore është vendosur nga Kryesia e Shoqatës së Autobusëve të rajonit Mitrovicë.

Ndryshe, nga 1.60 deri në 2 euro pritet të kushtojë një litër naftë në Kosovë gjatë ditëve në vijim.

Kështu ka paralajmëruar për Albanian Post, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, pasi sipas tij këtë rritje po e imponon konflikti mes Ukrainës dhe Rusisë dhe reduktimi i prodhimit në organizatën prodhuese.

Stacioni i Autobusëve në Prishtinë.

“Trendi është duke treguar se do të rriten çmimet dhe do të arrijnë 2 euro, në Shqipëri veç ka mbërri 2.20, kështu që kjo pritet të jetë edhe në Kosovë”, tha Berjani.

Sipas tij, këto janë çmime ekstreme, lufta e ka bërë të veten, çmimet janë enorme të shtrenjta dhe janë duke u shtrenjtuar në çdo moment”.

Ndërsa ekonomisti Erton Bega, ka thënë për AP se Qeveria mund të ndërhyjë në çmimin e derivateve vetëm përmes uljes së akcizës, uljes së TVSH-së për një periudhë të afatizuar, apo përmes përcaktimit të tavanit të marzhës.

“Meqenëse ne nuk i prodhojmë këto produkte e as nuk kemi rafineri për përpunimin e tyre dhe për rrjedhojë nuk kemi rezerva shtetërore”.

“Prandaj mekanizmat që i ka në dispozicion qeveria janë të kufizuar por mund të zbusin paksa efektin e çmimeve të ngritura si pasojë e agresionit rus në Ukrainë”, theksoi Bega.

Ndërsa për këtë rritje të çmimeve të naftës, Qeveria e Kosovës me 1 mars doli me vendim se do të përcaktojë çmimet maksimale për naftë dhe derivate të naftës.

Ndryshe gjatë muajit maj të vitit 2020 në pikun e pandemisë COVID-19 ishte shënuar një rekord i rënies së çmimit të naftës në Kosovë.

Kështu çmimi i karburanteve gjatë kësaj periudhe kishte rënë deri në 80 cent për një litër karburant.

Në anën tjetër, në Kosovë përveç rritjes së çmimit të naftës, është shtrenjtuar edhe energjia elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë orë, pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore