Kosova

Shtohet numri i antenave ilegale për telefoni mobile në Veri të Kosovës


Ilustrim

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ka pranuar disa informata lidhur me shtimin e numrit të antenave dhe operimeve të pa autorizuara nga operatorët e telefonisë mobile në Veri të Kosovës.

Kryetari i bordit të ARKEP-it, Nazim Rahimi, ka theksuar se pas matjes dhe verifikimeve që do të bëhen në javën e ardhshme do të dalin me një qëndrim zyrtar.

“Konfirmoj me bindje të plotë se në territorin e Kosovës nuk kemi operime ilegale të operatorëve mobil që nga marrëveshja e Brukselit në vitin 2015. Mirëpo, disa shqetësime i kemi pranuar këto ditë dhe kemi ngritur një njësit, i cili shumë shpejt do të bëjë verifikimin në tërë territorin e Kosovës, përfshirë këtu edhe matjet që do të realizohen në veri të Kosovës”.

Kryetari i bordit të ARKEP-it, Nazim Rahimi

“Ka pasur informata për ngritje të shqetësimeve se është shtuar numri i antenave dhe operime të pa autorizuar”, është shprehur ai për Kosovapress.

Në anën tjetër, sa i përket Telekomit të Kosovës, Rahimi ka thënë se kjo kompani vazhdon të ketë borxhe ndaj ARKEP-it.

“Kemi duke i diskutuar edhe me Telekomin, por edhe me instancat qeveritare për çka mendoj se shumë shpejt do të bëhet një zgjidhje konkrete dhe të përfundojë kjo periudha e borxheve ndaj ARKEP-it”.

“Absolutisht për çdo muaj për mos-implementim të kodit shtetëror ndëshkohet me pesë mijë euro në muaj. Kjo është vazhdimësi dhe deri në momentin e implementimin e kodit +383, jo vetëm Telekomi por edhe operatorë të tjerë do të ndëshkohen në rast se nuk kanë implementuar”, shtoi ai.

Ilustrim

Derisa Rahimi bëri të ditur se borxhi i Telekomit ndaj ARKEP-it ka arritur vlerën rreth 10 milionë euro, ai shpreson që me mjetet e ndara nga buxheti për vitin 2022, për subvencionim të Telekomit, kjo kompani do arrijë të bëjë zgjidhje.

“Jemi optimist që në këtë vit, por edhe në vitin vijues ku Telekomit i është paraparë një vlerë e caktuar e subvencionimit, besoj që kjo çështje do të zgjidhet në bashkëpunim me Telekomin dhe institucionet qeveritare. Vlera është diku 9.7 milionë euro”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore