Kosova

Shtatë organizata ndërkombëtare mirëpresin vendimin për Klan Kosovën: Mbyllja do t’i jepte goditjen më të madhe lirisë së shtypit


Klan Kosova.

Shtatë organizata ndërkombëtare për lirinë e medias e kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Komerciale për shtyrjen e vendimit të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë rreth pezullimit të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.

Përmes një reagimi këto organizata kanë thënë se ky është një vendim i rëndësishëm ligjorë që sipas tyre bllokon përpjekjen e qeverisë për ta mbyllur këtë medium.

“Organizatat tona e mirëpresin këtë vendim të rëndësishëm dhe vlerësojnë pavarësinë e gjyqtarëve, të cilët vendosën në përputhje me standardet ndërkombëtare të lirisë së medias. Tani i bëjmë thirrje qeverisë të mos apelojë vendimin dhe paralajmërojmë se një veprim i tillë do të minonte kredencialet tashmë të dëmtuara të lirisë së shtypit”, thuhet në reagimin e këtyre organizatave.

Ato kanë theksuar se do të monitorojnë procesin nga afër për të siguruar që të mos ketë goditje ndaj mediave.

“Organizatat tona do të vazhdojnë të monitorojnë nga afër dhe do t’i përgjigjen zhvillimeve të ardhshme që përfshijnë Klan Kosova dhe do të bëjnë thirrje për angazhim të vazhdueshëm të ambasadave perëndimore dhe organizatave ndërkombëtare në këtë çështje për të siguruar që përparimi pozitiv i Kosovës në lirinë e mediave të mos i bëhet një goditje e rëndë”.

Tutje nga këto organizata është thënë se me mbylljen e një mediumi, Qeveria do t’i jepte goditjen më të madhe lirisë.

“Çdo mbyllje përfundimtare e Klan Kosovës nga qeveria do t’i jepte goditjen më të madhe lirisë së shtypit dhe pluralizmit të mediave në Kosovë që nga pavarësia e vendit dhe do të shkatërronte besimin në përparimin e vazhdueshëm, gjë që u vu re nga organizatat tona në fillim të këtij viti”.

Po ashtu, është përmendur edhe bojkoti që iu bë konferencës së ministres së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, ditë më parë nga gazetarët në shenjë solidariteti.

“Për më tepër, ne përshëndesim aktin e fundit të solidaritetit me Klan Kosovën, të demonstruar nga pjesa më e madhe e komunitetit mediatik të vendit gjatë bojkotit të konferencës për shtyp të ministres Rozeta Hajdari”.

“Aktet e fundit të presionit nga zyrtarët kundër gazetarëve dhe aktivistëve që mbështesin Klan Kosovën vetëm sa ngrenë pyetje të mëtejshme rreth angazhimeve të administratës për lirinë e medias”.

Organizatat që lëshuan këtë komunikatë ishin: ARTICLE 19 Europe, Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), OBC Transeuropa (OBCT), Rrjeti i SafeJournalists, Reporterët pa Kufij (RSF) kanë vlerësuar mes tjerash edhe pavarësinë e gjyqtarëve në rast.

Gjykata Komerciale, departamenti administrativ e ka aprovuar ankesën e Klan Kosovës, duke e shtyrë vendimin e Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë (MINT), rreth pezullimit të certifikatës së këtij biznesi.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media të publikuar nga Gjykata Komerciale.

“Aprovohet si e bazuar kërkesa e paditësit Klan Kosova Sh.p.k., për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve”.

“Shtyhet ekzekutimi i Vendimit nr. 4566/01 i datës 28.07.2023 i nxjerrë nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve dhe Vendimit nr. 309/11 i datës 14.06.2023 i nxjerrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë për Regjistrin e Bizneseve në Kosovë, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

 

Vendimi i Gjykatës Komerciale.

Çka ndodhi me Klan Kosovën?

Më 14 qershor, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes një komunikate për media kishte marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare televizionit Klan Kosova.

“Raportimet e mediave gjatë këtyre ditëve rreth kësaj çështjeje, kanë nxjerrë në pah dyshime të bazuara për keqpërdorim të mundshëm të pozitës zyrtare të punonjësve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Si rrjedhojë, MINT ka bërë të gjitha angazhimet e nevojshme dhe menjëherë ka ndërmarr masat e qartësimit të brendshëm të gjendjes”, thuhej në njoftim.

Sipas MINT, në bazë të dhënave të shpërfaqura nga i gjithë procesi i regjistrimit e më pas transaksioneve tjera të shitblerjes së Shoqërisë Tregtare ‘KLAN KOSOVA’ SHPK, rezultojnë dyshime serioze të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga zyrtarë të ARBK-së, por edhe dyshime për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike nga persona përgjegjës të kompanisë.

Komisioni i Pavarur për Media (KPM), pas një takimi që ka mbajtur më 16 qershor, i kishte dhënë afat prej 30 ditësh televizionit Klan Kosova, që të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm të biznesit në ARBK.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), kishte bërë thirrje që të lejohet kohë dhe të mos ketë presione për plotësimin e dokumentacionit të kërkuar, në pritje të vendimit nga ana e Komisionit të Pavarur të Medieve.

Shtatë organizata kryesore ndërkombëtare për lirinë e mediave dhe grupet e gazetarëve kishin bërë thirrje që certifikata e përditësuar e biznesit të Klan Kosovës të pranohet nga komisioni i ankesave.

Po ashtu, kishin kërkuar që të ndërpriten menjëherë të gjitha përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për t’i bërë presion medias.

Televizioni kombëtar privat, Klan Kosova, ka nisur transmetimin më 17 shkurt të vitit 2009.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore