Sport

Shtatë lojtarë përfundojnë kontratën me Barcelona-n në verë


Barcelona është ende një kantier i hapur përsa i përketë krijimit të ekipit. Katalanasit këtë verë kryen shumë transferime në hyrje, por duket se në verën e ardhshme do të jenë largimet ato që do zënë peshën kryesore të merkatos blaugrana.

Janë shtatë futbollistë të cilëve u përfundon kontrata me Barcelona-n në verë dhe nuk dihet me siguri nëse ndonjëri apo disa prej tyre do të kenë një të re.

Inaki Pena, Arnau Tenas, Marcos Alonso, Hector Bellerin, Sergio Busquets, Sergi Roberto dhe Memhpis Depay do të jenë të gjithë jashtë kontrate me Barcelona-n më 1 korrik 2023.

Dhe mesa duket, Alonso dhe Bellerin mund të kenë një shans për një kontratë të re, pa përjashtuar dhe Pena, portieri rezerve.

Por, gjithashtu nga Barcelona mund të largohen dhe të tjerë lojtarë. Gerard Pique dhe Jordi Alba kanë kontratë deri në verën e 2024. Mirëpo, klubi po përpiqet t’i largojë pasi performanca e tyre është në rënie dhe mbi të gjitha pagat janë tepër të larta.

Barcelona gjithashtu thuhet se dëshiron të rinovojë kontratën me anësorin Ousmane Dembele. Kontrata e tij, e rinovuar këtë verë, përfundon në 2024.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore