Lajme

SHSKUK: Pacientëve të shtrirë në QKUK nuk u mundësohet e drejta për të votuar


Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, shpreh shqetësimin se pacientëve të shtrirë në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës(QKUK), nuk po u mundësohet të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.

SHSKUK, sipas kërkesës së KQZ, ka dorëzuar me kohë në KQZ të gjitha listat me pacientët e shtrirë në klinika dhe spitale, duke paralajmëruar KQZ-në, se shumë nga pacientët do të lirohen deri në ditën e zgjedhjeve dhe do hospitalizohen pacientë të tjerë.

“SHSKUK kërkon nga KQZ që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të mundësuar votimin e pacientëve të shtrirë në klinika dhe spitalet e përgjithshme”, thuhet në njoftim.

SHSKUK kërkon po ashtu ta mundësojë edhe votimin e stafit shëndetësor që sot janë në vendet e tyre të punës.

Shqetësimin e SHSKUK-së të shprehur përmes llogarisë në Facebook, e ka konfirmuar për Albanian Post, zyrtari për media Drilon Asllani, i cili ka ripërsëritur kërkesën drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që të shtrirëve nëpër spitale t’u mundësohet të votojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore