Lajme

SHSKUK-ja për vdekjen e foshnjës në Spitalin e Prizrenit: Pa raportet e duhura çdo konkluzion mbetet arbitrar


Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK)

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka thënë se është duke e trajtuar me prioritet rastin e vdekjes së një foshnje në Spitalin e Prizrenit, lidhur me atë nëse ka pasur shkelje të procedurave standarde gjatë punës së stafit mjekësor.

Përmes një komunikate për media nga SHSKUK-ja është thënë se janë duke pritur raportin e ekspertëve mjekoligjorë, për të konstatuar shkaqet dhe rastin.

“Aktualisht nuk mund të konkludohet nëse mjekët që e kanë trajtuar rastin, ndonëse janë arrestuar, kanë kryer veprim që ka shkaktuar rrezik jete”.

“Raportet profesionale, për çdo rast me fatalitet që ndodh në kushtet spitalore, janë element kyç për të verifikuar nëse mjeku ka shkelur procedurat apo nuk ka vepruar sa e si duhet. Pa këto raporte çdo konkluzion mbetet jo vetëm i pabazuar, por arbitrar”, thuhet në komunikatën e SHSKUK-së.

Tre mjekë të Spitalit të Prizrenit janë arrestuar, pasi që një burrë ka raportuar se foshnja e tij ka vdekur disa minuta pas lindjes dhe se ai dyshon që kjo ka ndodhur si pasojë e mostrajtimit të duhur nga stafi mjekësor.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës.

“Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se pas lindjes së gruas së tij viktimës femër kosovare, pas disa minutave foshnja ka vdekur dhe ai dyshon se kjo ka ardhur si pasojë e mos trajtimit të duhur nga stafi mjekësor”.

Zëdhënësi i Spitalit të Prizrenit, Shefajet Berisha, në një bisedë për Albanian Post ka thënë se arrestimet nuk kanë ndodhur brenda këtij spitali.

Kurse nga prokuroria janë marrë të gjitha informacionet e nevojshme për këtë rast.

“Dje zyrtarisht kam qenë në Prishtinë. Por, u informova që rasti ka ndodhur të martën, prokuroria ka marrë informacionet e veta, ndërsa foshnja është dërguar për obduksion”.

“Arsyetimi për arrestimin e tre mjekëve akoma nuk është dhënë”.

Berisha, tutje pohon se pasi të bëhet obduksioni i foshnjës do të bëhet e ditur edhe arsyeja e vdekjes.

“Pas përfundimit të obduksionit besoj që do të dihen arsyet e vdekjes së foshnjës”.

Mjekët e arrestuar janë dërguar në mbajtje dhe dyshohen për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.

“Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i foshnjës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë (mjekë) dhe janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Në raportin e policisë rasti është emëruar “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.

Në muajin dhjetor një foshnje e porsalindur ishte futur bashkë me çarçafë në lavatriçe.

Për këtë rast shtatë punonjës ishin suspenduar nga Spitali i Pejës.

Edhe më 9 mars, një foshnje kishte vdekur gjatë procesit të lindjes në Spitalin e Pejës, ndërkaq babai i foshnjës ka raportuar në Policinë e Kosovës se dyshon për neglizhencë të stafit mjekësor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore