Shqiptarët zënë vendin e parë në burgjet e Britanisë
Rajmonda Basha
28.10.2022 20:00Ministria e Brendshme e Britanisë së Madhe ka publikuar shifrat për numrin e të burgosurve.
Pjesën më të madhe të shtetësive të huaja në burgjet britanike, e zënë shqiptarët me 13% të popullsisë.
Deri më 30 shtator 2022, mbaheshin në paraburgim 9 mijë e 671 persona (2 mijë e 986 paraburgim, 6 mijë e 51 të dënuar dhe 634 jopenalë) shtetas të huaj; që përfaqësojnë 12% të popullsisë totale të burgjeve.
Dy javë më parë, tabloidi britanik “The Sun” shkruante se një shumë prej 1.2 milionë paundësh është harxhuar nga shteti britanik vetëm për përkthimin e shqiptarëve, të cilët kanë qenë të dyshuar për ngjarje kriminale në ishull.
Numri i personave të burgosur, po ashtu, shfaqet i dyfishuar, me një nga 726 në vitin 2017 në 1 mijë e 500 në vitin 2022.
Sipas disa publikimeve nga mediat britanike, por edhe nga vetë Qeveria, numri i shqiptarëve, të cilët kanë kaluar ngushticën e Le Mans mes Francës dhe Anglisë, është rritur eksponencialisht vitet e fundit dhe 60% e të gjithë emigrantëve të jashtëligjshëm, të cilët zgjedhin këtë rrugë, janë shqiptarë.
Madje, akuza nuk kursehen edhe ndaj bandave specifike, të cilat merren me muzikë dhe përfliten nga “The Sun” si persona me rekorde kriminale dhe banda që kontrollojnë krimin në Londrën lindore.
Prej tyre, përmendet edhe grupimi i njohur si “Hellbenianz”, ku thuhet se kanë publike video, të cilat tregojnë makina luksi apo male të tëra me para, duke supozuar se ato kanë ardhur nga krimi i organizuar.
Në tërësi, mbi 21 milionë paundë u shpenzuan nga Qeveria britanike për përkthyesit në procese gjykuese, ku pjesa më e madhe ka shkuar për polakët, me 3.2 milionë paundë.
Rumunët, pasojnë me 2.7 milionë, më pas shqiptarët me 1.2 milionë, lituanezët me 805 mijë dhe rusët me 594 mijë.