Shqiptarët ‘viktima të trafikimit’ – Pritet shuplaka britanike për (tik tok-erët) trafikantë

Vitjon Nina
09.08.2022 7:30
Loading Icons...

Mënyra e “marketimit” është bërë krejt e zakonshme, pavarësisht politikave shumë shtrënguese të shpërndarjes së përmbajtjeve në media sociale – Tik Tok-u.

Çmimet kanë pësuar një ulje marramendëse, ku nga 4-5 mijë paundë, gjithçka kërkohet tanimë është në rangun e 2 mijë e 500 paundëve.

Për çfarë?

Për një “biletë” drejt Anglisë…

Është bërë aq e njohur kjo metodë, sa është e vështirë të lundrosh (literalisht) në median sociale Tik Tok, pa t’u shfaqur përpara një postim i gomoneve të mbushura me klandestinë shqiptarë, të cilët kalojnë kanalin e Le Manche (ngushtica midis Francës dhe Britanisë së Madhe), nën premtimin e një jete më të mirë.

Fenomemi gjithsesi, sipas medias britanike “Telegraph”, ka filluar të bëhet i preferuar që prej vitit 2020, kur për herë të parë e tejkaloi kalimin e jashtëligjshëm nëpërmjet aeroporteve.

Vetëm në muajt e fundit, mbi 18 mijë emigrantë e kanë kaluar kanalin e Le Manche.

Vitin e shkuar, kalimet në Le Manche kanë qenë 77.53% më të larta se ato nëpërmjet rrugëve ajrore.

Këto shifra, për Shqipërinë, bëhen edhe më shqetësuese, pasi sipas raportimeve nga autoritetet britanike, katër në dhjetë emigrantë të jashtëligjshëm janë shqiptarë dhe për këtë, duhet “falënderuar” edhe Tik Tok-u, i cili po lejon reklamimin e rrugëve të jashtëligjshme.

Më 3 gusht, Albanian Post e pasqyroi situatën, duke dhënë edhe prova se si profile të tëra në Tik Tok i dedikohen këtij fenomeni.

A ndalet gjithçka këtu? Sërish jo…

Sepse edhe metodologjia, ka ndryshuar rrënjësisht, në rastin e shqiptarëve.

Këtë gjë e ka shpjeguar ish-drejtuesi i Policisë Kufitare britanike, Tony Smith.

Ai arsyeton se si shqiptarët po udhëzohen nga vetë trafikantët, të pretendojnë përpara autoriteteve britanike se kanë qenë pjesë e një rrjeti trafikimi.

Në këtë mënyrë, ata mund të kërkojnë azil në një vend si Britania e Madhe dhe të qëndrojnë aty pa probleme dokumentacioni.

Kjo shpjegon sipas tij jo vetëm sofistikimin e rrjetit shqiptar të trafikimit, por edhe arsyen se pse kjo përqindje kaq e lartë (40%) e emigrantëve, janë shqiptarë.

Vetëm se të gjatë, nuk do e kenë shumë as këto metoda, të cilat janë paraparë nga Policia britanike dhe nga zyrat e ndryshme që veprojnë për emigrimin e jashtëligjshëm, duke marrë masa konkrete për depërtimin e çdo shtetasi, të cilit dokumentacioni nuk i përputhet me ato të pranuar për lejeqëndrimi.

Për Britaninë, imperativ ka qenë fakti se i gjithë sistemi duhet ndrequr dhe përmirësuar dhe këtë gjë po e bëjnë ata.

Zbulimi i rrjeteve të Tik Tok-ut, është vetëm hapi i parë, në veprimtarinë e instancave.

Këtu, hyn në lojë edhe marrëveshja për deportimin e kriminelëve në vendlindje, pasi nëse vërtetohet se dëshmia e “të trafikuarve” është e rreme, kjo quhet vepër penale dhe lind e drejta e shtetit britanik për deportim.

Gjithsesi, teksa gjithë ky mekanizëm dinamik vlon, të njëjtën gjë vijojnë edhe trafikantët e Tik Tok-ut, të cilët dita ditës, publikojnë jo pak video nga klandestinimi i suksesshëm i shqiptarëve.

Të fundit

Aktuale