Shqipëria

Shqiptarët nuk i paguajnë në kohë faturat e energjisë


Qytetarët shqiptarë vazhdojnë të paguajnë fatura të energjisë të shoqëruara me kamatëvonesa.

Kështu tregojnë të dhënat e publikuara të Entit Rregullator të Energjisë për katër mujorin e parë të vitit 2022.

Në të rezulton se numri i faturave të energjisë të lëshuara gjithsej nga OSHEE kalon 3,9 milionë por rreth 1.4 milionë ose 37% e totalit ishin me kamatëvonesa.

Kamatëvonesat përfshijnë marrëveshjet që burojnë që nga viti 2014 ndërmjet OSHE dhe debitorëve të energjisë për borxhet e prapambetura, por gjithashtu përfshijnë edhe fatura që nuk mund të paguhen në kohë nga klientët për shkak të vështirësive financiare në të cilat ndodhen.

Të dhënat zyrtare tregojnë se OSHEE arkëton rreth 6,5 miliardë lekë në muaj, prej të cilave rreh 30 për qind i takojnë faturimeve për periudhën 2007 deri me 2022.

Në bazë të kontratës së nënshkruar me kompaninë OSHEE, afati i fundit i pagesës është dita e fundit e muajit pasardhës. Mospagimi i detyrimit mujor brenda afatit të përcaktuar, shoqërohet me një kamatë- vonesë, ndërprerje të energjisë elektrike apo edhe procedim penal, bëjnë me dije burimet nga OSSHE.

Konsumatorët e energjisë kanë 30 ditë kohë nga dita e lëshimit, për të paguar faturën e energjisë elektrike. Nëse afati skadon dhe fatura nuk shlyhet në bazë të kontratës, kompania do të llogarisë kamatëvonese (0.1% të faturës totale për çdo ditë vonesë).

Nëse pagesa nuk kryhet edhe pas disa njoftimeve të Operatori të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike procedon me ndërprerje të furnizimit me energji elektrike të klientit. Debia përfshin energjinë e konsumuar si edhe kamatëvonesat e mbledhura për çdo ditë vonesë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore