Shqiptarët janë më optimistët e rajonit, sipas Barometrit të Ballkanit 2024
Vitjon Nina
17.09.2024 7:30Ndoshta në masë një popullatë jo shumë optimiste, krahasuar me vendet e tjera më të zhvilluara, por sipas të dhënave të reja të publikuara nga Barometri i Ballkanit 2024, shqiptarët janë ata më të kënaqurit me jetën, nga gjithë vendet e tjera të rajonit.
Kështu ka bërë me dije anketimi, pas publikimit të rezultateve për gjithë Ballkanin Perëndimor, ku ka një dallim të qartë edhe të problematikave, të cilat shkaktojnë pakënaqësi në jetesë.
Fillimisht, vlen për t’u theksuar se shqiptarët janë më të kënaqurit dhe më optimistët me jetën, në krahasim me pesë shtetet e tjera. Rreth 30% e të anketuarve në Shqipëri janë të kënaqur me situatën ekonomike në vend. teksa, 28%, mendojnë se situata ekonomike është shumë e keqe.
Ky është edhe rezultati më i mirë në rajon, me Kosovën të dytën, me 29% optimizëm, Serbinë me 26%, Malin e Zi me 22%, Bosnjë dhe Hercegovinën me 16%, si edhe të fundit Maqedoninë e Veriut, me një shifër tejet të ulët optimistësh, prej 9%.
Në fakt në Shqipëri ka një raport pozitiv ngritës edhe me veten, pasi në vitin 2023, e njëjta anketë nxorri të kënaqur me situatën ekonomike vetëm 24% të të anketuarve. Ndaj, brenda vitit, kënaqësia ekonomike është rritur me thuajse 6%.
Rënie të madhe ndërkaq ka paraqitur Kosova, por edhe vendet e tjera, ku në vitin 2023, kosovarët kanë qenë të kënaqur me ekonominë në masën 43%. Pra, duke nënkuptuar kështu një rënie drastike me 14% këtë vit.
Edhe në Serbi rënia ka qenë e ndjeshme, pasi vitin e kaluar 35% e serbëve mendonin se kishin situatë të mirë ekonomike, por këtë vit vetëm 26% e shohin kështu.
Njëkohësisht, bie në sy se shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës kanë një panoramë më të çelur sa i takon kënaqësisë ekonomike, pasi vetëm 8% dhe 3% respektivisht mendojnë se situata e përgjithshme ekonomike është “shumë e keqe” në vendet respektive.
Në 8% ndalet edhe Serbia për këtë perceptim. Ndërsa, Maqedonia e Veriut, ka një shifër kulmore, ku një në katër persona, situatën e përgjithshme ekonomike e shohin “shumë të keqe”.