
Kombëtarja e Shqipërisë ka bërë një paraqitje zhgënjyese në ndeshjen e fundit në kualifikuese përballë Ishujve Faroe. Në takimin e zhvilluar në stadiumin “Air Albania” festa kuqezi duket se kishte nisur më herët seç duhej.
Skuadra e drejtuar nga Sylvinho, me pesë ndryshime në formacionin e parë, nuk mundi të shkonte më shumë se një barazim 0-0 ndaj Ishujve Faroe, skuadrës e cila kishte vetëm 1 pikë në këto kualifikuese. Tashmë ka 2 pikë.
Megjithatë, pavarësisht lojës së dobët nga kuqezinjtë dhe atyre pak rasteve për shënim, të pashfrytëzuara, tashmë ata janë në Euro 2024. Dhe, mbi të gjitha, në vazon e dytë në shortin që do të hidhet më 2 dhjetor, pasi përfunduan si kokë gurpi, duke lënë pas Çekinë.
Ndeshja ndaj Faoreve ishte më e dobëta që kuqezinjtë kishin bërë deri më tani në kualifikueset e Euro 2024. Shumë pak raste dhe shumë gabime. Jo më kot disa herë tifozët treguan mospëlqimin e tyre me lojën duke vërshëllyer.
Shqipëria u kujdes të administronte lojën duke mbajtur topin deri në masën 64%, por gjuajtjet drejt portës kundërshtare ishin të vakta, me përjashtim të një rasti të artë nga Mirlind Daku në fundin e pjesës së parë.
Daku ishte lojtari më i dobët në fushë për kuqezinjtë i vlerësuar me notën 6.4 nga Sofascore. Pas tij vinin Myrto Uzuni dhe Jasir Asani, përkatësisht me notat 6.6 dhe 6.8.
Ndërsa lojtarët më të mirë ishin Berat Gjimshiti, Ivan Balliu, Kristjan Asllani dhe Ardian Ismajli, përkatësisht me notat 7.8, 7.4 dhe 7.3 dy të fundit.
Duke lënë mënjanë ndeshjen e kësaj mbrëmjeje, Shqipëria mbyll fushatën e saj më të mirë në kualifikuese duke siguruar 15 pikë. Po 15 pikë ka dhe Çekia e vendit të dytë, por qëndron më poshtë për shkak të ndeshjeve direkte me kuqezinjtë (1-1, 0-3).
Të besuarit e Sylvinho-s përfundojnë fushatën kualifikuese me katër fitore, tre barazime dhe vetëm një humbje. 12 gola të shënuar dhe katër të pësuar.
Kuqezinjtë kanë një nga mbrojtjet më të mira në këto kualifikuese. Më mirë se ta ka bërë vetëm Franca, e cila ka pësuar një gol, dhe Portugalia që ka pësuar dy gola. Ndërsa po nga katër gola kanë pësuar edhe Anglia, Kroacia dhe Belgjika.
Skuadrat e Euro 2024
Me përfundimin e kualifikueseve janë mësuar dhe skuadrat që do të jenë në “Euro 2024”: Gjermania, Spanja, Skocia, Franca, Holanda, Anglia, Italia, Turqia, Kroacia, Shqipëria, Çekia, Belgjika, Austria, Hungaria, Serbia, Danimarka, Sllovenia, Rumania, Zvicra, Portugalia dhe Sllovakia.
Tre kombëtaret e fundit do të dalin nga raundi i play-off ku luftojnë 12 skuadra: Polonia, Uellsi, Izraeli, Bosnja dhe Hercegovina, Finalanda, Ukraina, Islanda, Gjeorgjia, Kazakistani, Greqia, Luxembourg dhe Estonia.
12 skuadrat do të garojnë në play-off-et e UEFA Euro 2024 më 21 dhe 26 mars 2024. Tre prej tyre do të fitojnë bileta të minutës së fundit për në turneun final.
Evropiani sjellë miliona euro për FSHF-në
Paratë e çmimeve të Euro 2024 janë rritur në 371 milionë euro, një rekord. Kjo rrit çmimin me 23% krahasuar me Kampionatin Evropian të mëparshëm të Futbollit në vitin 2016.
E thënë ndryshe, 24 vendet pjesëmarrëse do të përfitojnë në total 371 milionë euro, nga 301 milionë që u ndan në Evropianin e fundit.
Vetëm kualifikimi në fazën e grupeve do të garantonte 9.25 milionë euro për secilën nga skuadrat pjesëmarrëse. Çdo barazim do të shtonte 1.5 milionë euro në arkat e federatave respektive. Ndërsa, barazimi garanton 750 mijë euro.
Kalimi në raundin tjetër, pas fazës së grupeve, do u siguronte ekipeve kombëtare nga 2 milionë euro. 3.25 milionë euro do të jepen për skuadrat çerekfinaliste dhe 5 milionë për ato gjysmëfinaliste.
Në finale, shpërblimet do të jenë edhe më të larta. Skuadra që do të dal e humbur nga loja do të përfitojë 7 milionë euro. Ndërsa, ajo që do të ketë sukses në fitimin e trofeut, sigurisht që do të marrë edhe një shpërblim më të lartë që do të jetë 10 milionë euro.
Kjo do të thotë se kampioni mund të fitojë deri në 34 milionë euro çmime gjatë Kampionatit Evropian, Euro 2024.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Mira Murati, një nga 25 gratë më me ndikim në botë për vitin 2023
-
Asnjanësi klimatike deri në vitin 2050 – A do ia dalë Shqipëria?
-
COP28: 50 kompani të naftës dhe gazit nënshkruajnë statutin për të përshpejtuar veprimet klimatike në sektorin industrial
-
Thellimi i raporteve Kosovë-Kenia, në fokus të takimit Osmani-Ruto