Shqipëria

Shqipëria zgjat periudhën e mbrojtjes për refugjatët ukrainas dhe afganë


Qeveria shqiptare ka vendosur të zgjasë afatin e mbrojtjes për refugjatët afganë në vend deri më 24 gusht dhe për refugjatët ukrainas deri më 17 shtator të këtij viti.

Lajmi u bë i ditur nga Kryeministria, duke cituar vendimet e datës 5 prill.

Për të dyja zbatimet e këtyre vendimeve ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Nga 24 shkurti deri më 31 dhjetor 2022, rreth 32 mijë ukrainas hynë në Shqipëri, nga të cilët afro 29 mijë u larguan nga vendi.

Deri në fund të dhjetorit 2022, rreth 2 mijë 500 ukrainas që kanë ikur nga lufta në Ukrainë vlerësohej të ishin të pranishëm në Shqipëri.

Kështu bën të ditur raporti më i fundit i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).

Kujtojmë që Qeveria shqiptare u ka dhënë të drejtën e qëndrimit në Shqipëri shtetasve ukrainas deri në një vit pa pasur nevojë për leje qëndrimi.

Kjo ka bërë që vetëm një pjesë e vogël e tyre të aplikojnë për qëndrim të përkohshëm.

Afganët

Pasi talebanët rimorën kontrollin e Afganistanit gushtin e kaluar, Shqipëria pranoi të presë mijëra refugjatë afganë për të paktën një vit.

Kjo, ndërkohë që ata po kontrolloheshin për viza për në SHBA, ku do të kalonin për zgjidhjen përfundimtare.

Vitin e kaluar, Qeveria shqiptare njoftoi se të evakuuarit mund të qëndrojnë më shumë se një vit nëse vizat e tyre amerikane vonohen.

Edhe pse disa mendonin asokohe se Shqipëria kishte për detyrë të ndihmonte aleatin e saj në NATO, të tjerë mendonin se vendi po luftonte mjaftueshëm.

Sipas “Associated Press”, duke cituar Ministrinë e Jashtme shqiptare, 900 refugjatë afganë mbeten në Shqipëri.

Ata që nuk janë më në Shqipëri tashmë kanë arritur të shkojnë në SHBA dhe Kanada.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore