Shqipëria

Shqipëria vijon performancën e jashtëzakonshme me fluturimet, Eurocontrol e rendit të parën në Evropë për rritje gjatë tetorit


Nuk ka të ndalur as përgjatë muajit tetor performanca e jashtëzakonshme e sektorit të aviacionit në Shqipëri, ku sërish Organizata Evropiane për Sigurinë Ajrore (Eurocontrol) e ka radhitur të parën në kontinent për rritjen e fluturimeve.

Madje, me një ndryshim të madh prej vendit të tyre, ku Shqipëria ka shtuar vetëm në javën e fundit të tetorit me 88% fluturimet dhe pasagjerët.

Kjo, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, i cili ishte viti i fundit para pandemisë dhe para ndikimit që ajo solli në gjithë sektorin e udhëtimeve.

Kështu, mund të thuhet se Shqipëria jo vetëm që e ka tejkaluar tërësisht atë situatë, por shtimi është me thuajse dyfishin e numrit të fluturimeve dhe pasagjerëve, në vetëm tre vjet.

Në vend të dytë radhitet Armenia, me një shtim prej 45% dhe më pas Maqedonia e Veriut, me 20%.

Shifra të tilla reflektojnë edhe investimin e madh që është kryer me Aeroportin e Tiranës vitet e fundit, ku futja e linjave ajrore me kosto të ulët po jep frytet e veta.

E fundit në radhë, e cila fillon operimet më 31 tetor prej Rinasit, është edhe kompania Ryanair, më e madhja në gjithë Evropën, me 17 linjat e saj të para dhe 200 fluturime në javë.

Siç ka bërë me dije edhe drejtuesi i kompanisë irlandeze, Michael O’Leary, në bashkëpunim me grupin Kastrati (pronarë të aeroportit të Rinasit), është bërë edhe një plan për rritjen e mëtejshme të kuotave të fluturimit dhe pasagjerëve.

Bashkëpunimi i suksesshëm mes “Kastrati Group” dhe Ryanair, 70% e vendeve të rezervuara pa nisur fluturimet

O’Leary dhe Ryanair – me plane të qartë – investojnë kur shohin potencial në një vend (siç e ka theksuar vetë ai herë pas here) dhe Shqipëria është rasti ideal i një vendi me zgjerim të shpejtë dhe efikas fluturimesh.

Synimi kryesor është ai i kthimit të vendit në një vendmbërritje të madhe për Evropën edhe gjatë pushimeve dimërore dhe jo thjesht si një stacion veror i radhës.

Ryanair duhet kujtuar se ka mundur që me shërbimet e saj të shumëfishojë trafikun ajror në vendet më të mëdha evropiane, falë ofertës së çmimeve të ulëta dhe numrit të madh të vendmbërritjeve ku shërben.

Ndaj, brenda verës së ardhshme, nga 17 destinacione është e pritshme që ato të bëhen 24 dhe të ndërlidhin Shqipërinë edhe më shumë me Evropën.

Me 70% të kuotave të fluturimit të Ryanair të rezervuara për nëntorin, ajo çfarë mund të pritet nga Eurocontrol për performancën është një rritje edhe më eksponenciale, ku mund të provohet të tejkalohet edhe me 100% trafiku ajror i nëntorit 2019 (para pandemik).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore