Shqipëria U-19 i mbyll me turp kualifikueset e Euro 2024
Romario Ismailaj
21.11.2023 16:33Kombëtarja shqiptare U-19 i ka mbyllur me turp kualifikueset e Kampionatit Evropian, Euro 2024, të kësaj grupmoshe.
Kuqezinjtë e drejtuar nga Ervin Bulku nuk kanë arritur të marrin asnjë pikë në tre ndeshjet kualifikuese përballë bashkëmoshatarëve të tyre nga Sllovenia, Belgjika dhe Irlanda.
Ndeshja e fundit për kuqezinjtë ishte një humbje 1-0 nga Sllovenia pasditen e kësaj të marte, me golin e Lucas Macak që erdhi në minutën e 48 të pjesës së dytë.
Trajneri Bulku e nisi me këtë formacion titullar sfidën ndaj Sllovenisë: Tomas Kiri (GK), Elton Fikaj, Klevis Haxhari, Arlind Kurti (C), Adi Kurti, Jordi Jaku, Ermal Meta, Oresti Kasmollari, Erald Krasniqi, Dean Vranici, Flavio Sulejmani.
Pjesa e parë e takimit ishte e qetë dhe pa raste të pastra shënimi. Fraksioni i dytë nisi me dy zëvëndësime për kuqezinjtë. Në fushë u aktivizuan Nuredini dhe Duro, ndërsa Sllovenia gjeti golin e takimit në të 48 me Macak.
Në minutat në vijim trajneri Ervin Bulku futi në fushë edhe Bellojin, Buzin dhe Zaganjorin por në rezultat nuk ndryshoi asgjë.
Në takimet e tjera kuqezinjtë u mundën 2-0 nga Belgjika dhe 3-1 nga Irlanda.
Në fakt, në të gjitha garat duke përfshirë edhe ndeshjet miqësore, Shqipëria U-19 numëron vetëm një fitore dhe dy barazime në 12 takimet e fundit.
Fitorja e fundit e kuqezinjëve U-19 erdhi në një ndeshje miqësore përballë Kosovës në qershor, me rezultatin 1-0. Që nga ajo kohë ata kanë arritur dy barazime, përkatësisht 0-0 ndaj Kosovës dhe 1-1 ndaj Turqisë, si dhe pesë humbje, përkatësisht ndaj Italisë 3-0, Turqisë 1-0, dhe tre të fundit në kualifikueset e Euro 2024 të përmendura më sipër.