Shqipëria

Shqipëria tejkalon veten, e para në Evropë për fluturimet


Me 60 % janë rritur fluturimet drejt Shqipërisë në muajin gusht të këtij viti.

Kjo krahasuar me viti 2019, kur pandemia ende nuk ishte shfaqur dhe udhëtimet funksiononin normalisht.

Shqipëria në raportin e Fundit të Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve (ACI) renditet e para sa i takon këtij krahasimi, duke lënë pas shumë vende të tjera të Evropës.

Edhe, Organizata Botërore e Turizmit (OBT) javën e kaluar e ka renditur Shqipërinë në vend të parë në Evropë dhe të dytë në botë, përsa i përket normës së turistëve ndërkombëtarë.

Në raportin e saj, OBT-ja konfirmon se Shqipëria ka arritur një ndër performancat më të mira të rikuperimit të sektorit pas pandemisë.

Ndërkohë, edhe kompania kryesore e të dhënave sa i takon udhëtimeve në botë, ForwardKeys, në raportin e saj të fundit shkruan se udhëtimet drejt Shqipërisë janë rritur me 28%.

Kjo është rritja më e madhe në rajon gjatë sezonit të verës 2022.

Sipas, ForwardKeys udhëtimit në rajonin juglindor të Evropës tejkaluan ndjeshëm nivelet e para-pandemisë.

Fill pas Shqipërisë – e cila përfaqëson më pak se 1% të tregut të fluturimeve evropiane – renditen Turqia dhe Greqia.

Këto dy shtete tejkaluan nivelet e para pandemisë  me përkatësisht 9% dhe 2%. Megjithëse asnjë destinacion tjetër nuk i arriti shifrat e vitit 2019 përpos Shqipërisë.

Sllovenia iu afrua, me vetëm 7% më pak, me Islandën 8% dhe Portugalinë 10%.

Rimëkëmbja nga pandemia ka vijuar pavarësisht kaosit të udhëtimeve dhe reduktimeve të kapaciteteve të shkaktuara nga mungesa e stafit.

Por me lënien e sezonit veror pas, duket se Shqipërinë e pret një dimër jo i lehtë sa i takon fluturimeve.

Sanford C. Bernstein, një kompani tjetër prestigjioze, ka parashikuar se linjat ajrore më të dobëta të Evropës do të përballen me një rrezik të shtuar të kolapsit këtë dimër.

“Ndërsa pandemia solli pak dështime të linjave ajrore në rajon, transportuesit tani po përballen me një kostot e larta të karburantit dhe rënies sezonale të udhëtimit”, thanë analistët e Bernstein.

Sipas saj, transportuesit më të ekspozuar përfshijnë një nga Qipro dhe dy nga Shqipëria, si dhe linja ajrore me bazë në Bjellorusi, Bullgari, Republikën Çeke, Gjeorgji, Moldavi dhe Rumani.

Analiza e Bernstein thekson se transportuesit më të vegjël në Evropën Qendrore dhe Lindore do të jenë më të cenueshëm.

Por nuk do të mungojnë as problemet për linjat ajrore më të mira evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore