Vende

Shqipëria shumë pranë kapjes së shifrës prej 10 milionë vizitorësh të huaj në 2023


Me dy muaj të mbetur nga fundit i vitit 2023, Shqipëria është shumë pranë kapjes së një shifre prej 10 milionë vizitorësh të huaj për këtë vit.

Kjo, pas një performance jo vetëm të kënaqshme, por në rritje të madhe krahasuar me një vit më parë, mbi të gjitha gjatë muajit tetor 2023.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave, në tërësi në tetor e kanë vizituar Shqipërinë 1 milion e 256 mijë e 554 persona dhe prej tyre, 691 mijë e 680 janë shtetas të huaj.

Kjo shënon edhe një rritje të jashtëzakonshme (thuajse pranë dyfishimit), me 89.4% më shumë turistë, nëse krahasohet me periudhën e tetorit 2022, sa i takon shtetasve të huaj.

Rritje gjithashtu ka pasur edhe sa i takon shtetasve shqiptarë, të cilët kanë hyrë në territor, duke shënuar 564 mijë dhe duke rritur kësisoj edhe daljet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit.

Ajo çfarë shihet më së shumti me interes gjithsesi, është se në terma vjetorë, ka pasur 32.3% më shumë vizitorë të huaj në vend.

Në shifra reale, kjo përkthehet në 8 milionë e 986 mijë e 280 vizitorë, brenda 10 muajve të parë të vitit.

Pra, në rast se gjatë nëntorit dhe dhjetorit, performanca e Shqipërisë vijon të mbetet konstante dhe në rritje të tillë, atëherë vendi do të mundet për herë të parë në histori, të kapë një shifër prej 10 milionë vizitorësh të huaj vjetorë.

Nëse përllogariten edhe hyrjet e shtetasve shqiptarë në këto muaj, atëherë lëvizjet shkojnë në 14.655 milionë.

Për t’u theksuar mbetet fakti se shumica e këtyre vizitorëve të huaj vijnë nga Evropa (8 milionë e 623 mijë) dhe mbi të gjitha nga Evropa jugore (6 milionë e 790 mijë).

Por interes të lartë për të vizituar Shqipërinë ka pasur edhe nga Evropa Perëndimore (697 mijë), ajo Lindore (604 mijë), apo veriore (340 mijë).

Pas nuk mbeten as turistët amerikanë, të cilët si rrallëherë më parë, kanë ardhur në masë 217 mijë brenda 10 muajve të parë të vitit.

Meritë për këtë ka pasur edhe puna që është bërë me aeroportin e Rinasit, i cili me shtimin e kompanive dhe linjave ajrore – mbi të gjitha atyre low cost – kanë zgjuar interesin e vizitorëve të huaj, duke ofruar linja direkte dhe çmime të përballueshme, të cilat kanë qenë joshëse për tregun.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore