Shqipëria

Shqipëria, sërish zonë me rrezik të lartë për Gjermaninë


Përditësimi i fundit i autoriteteve gjermane e ka lënë sërish Shqipërinë në listën e zonave me rrezik të lartë të përhapjes së coronavirus-it.

Përkatësisht janë mbi 60 shtete që e kanë “të ndaluar hyrjen” pa kufizime në Gjermani. Disa nga shtetet përveç Shqipërisë janë: Egjipti, Kroacia, Lituania, Letonia, Singapori, Mbretëria e Bashkuar, Ukraina, etj.

Të gjithë këta udhëtarë duhet të plotësojnë një formular regjistrimi dhe të karantinohen dhjetë ditë pas mbërritjes në Gjermani.

Por, Instituti Robert Koch – agjencia gjermane dhe instituti kërkimor përgjegjës për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve – ka njoftuar se të premten janë hequr nga lista me rrezikshmëri të lartë gjashtë vende të treta dhe tre territore holandeze jashtë shtetit.

Konkretisht u hoqën Antigua dhe Barbuda, Grenada, Xhamajka, Kuba, Myanmar, Shën Luçia. Ndërsa territoret përtej detit të Holandës janë: Aruba, Curaçao dhe Shën Martin.

Për rrjedhojë vizitorët nga këto shtete që prej 7 nëntorit, nuk do të duhet të regjistrohen para se të udhëtojnë në Gjermani dhe as të karantinohen pas mbërritjes.

Por, megjithëse, të gjithë vizitorët e pavaksinuar nga këto vende mund të hyjnë në Gjermani vetëm për qëllime absolutisht thelbësore.

Aktualisht, vetëm banorët në listën e vendeve të treta epidemiologjikisht të sigurta të BE-së mund të hyjnë në Gjermani pa kufizime.

Lista përfshin Australinë, Argjentinën, Bahreinin, Kilin, Kolumbinë, Hong Kongun, Jordaninë, Kanadanë, Katarin, Kuvajtin, Macau, Namibinë, Zelandën e Re, Perunë, Ruandën, Arabinë Saudite, Korenë e Jugut, Tajvanin, Uruguain, Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe Kinës.

Ndërsa Argjentina, Kolumbia, Namibia dhe Peruja u shtuan në këtë listë javën e kaluar.

Formulari i regjistrimit që duhet të plotësojnë udhëtarët.

Ishte 9 shtatori, kur Shqipëria doli jashtë listës së vendeve të sigurta nga një vendim i Këshillit të Bashkimit Evropian, për shkak të rritjes së numrit të infektimeve me COVID-19.

Përveç Shqipërisë, nga vendet e Ballkanit Perëndimor, jashtë listës janë edhe Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia. Ndërsa, Kosova më 24 tetor sipas Institutit Robert Koch, figuron te shtetet që më nuk janë me rrezikshmëri të lartë.

Jo vetëm Gjermania – si vend anëtar i BE-së – por dhe shteti fqinj italian i “ka mbyllur dyert” për shqiptarët.

Që prej 26 tetorit, udhëtimet për turizëm nga Shqipëria drejt Italisë nuk u lejuan.

Italia e ka renditur Shqipërinë në listën E duke u cilësuar si vend rreziku. Ky vendim do të jetë i vlefshëm deri më 15 dhjetor 2021.

Kriteret për t’u futur në shtetin gjerman

Të gjithë udhëtarët e moshës 12 vjeç që arrijnë në Gjermani nga vendet në listën me rrezik të lartë janë të detyruar të regjistrohen në faqen e internetit.

Pas kësaj ata duhet të mbajnë me vete konfirmimin e regjistrimit kur paraqiten në kufijtë e Gjermanisë.

Ata gjithashtu duhet të ngarkojnë vërtetimin e vaksinimit ose shërimit në të njëjtin portal kur regjistrohen. Me të mbërritur në Gjermani, karantina është e detyrueshme për ata që nuk kanë arritur të ngarkojnë dëshminë e vaksinimit ose shërimit. Megjithatë, ajo mund të përfundojë pasi prova të ngarkohet në portal.

Sa për ata që arrijnë në Gjermani me rezultate negative të testit COVID-19, ata mund t’i japin fund karantinës jo më herët se në ditën e pestë të karantinës, me një test të dytë të kryer, rezultatet e të cilit janë gjithashtu negative.

Mesatarisht mbi 500 persona rezultojnë pozitivë çdo ditë në Shqipëri. Numri i vdekjeve është rritur po ashtu.

Një shtim i masave fillestare u mor në Shqipëri ndërsa të reja hynë në fuqi më 1 nëntor, ku u ul mosha e atyre që duhet të vaksinohen.

Përkatësisht ka nisur implementimi për dozën e tretë te të moshuarit +60 vjeç dhe te bluzat e bardha. Ndërsa të gjithë fëmijët 12 vjeç e lart mund të marrin dozat e vaksinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore