Shqipëria

Shqipëria “rrezikohet” nga inflacioni në rritje


Rreziqet për inflacionin janë rritur në prani të tensioneve të reja gjeopolitike.

Kështu bëhet me dije në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë, ku ravijëzohet se pavarësisht që ekonomia e vendit është në trend rritës, pasiguritë për të ardhmen janë në rritje, si dhe rreziqet ndaj inflacionit janë shtuar.

Në veçanti, “presionet e reja për rritje të çmimeve të naftës dhe të ushqimeve prezantojnë rreziqe të reja potenciale për një inflacion global më të lartë, por edhe për lindjen e efekteve të raundit të dytë në formën e rritjes së pritjeve inflacioniste, veçanërisht të familjeve që kanë ndjeshmëri më të lartë ndaj këtyre çmimeve”.

Në raportin e tremujorit të tretë të vitit të Politikës Monetare Banka e Shqipërisë gjykon se trendi i uljes së inflacionit është ngadalësuar, për këtë arsye nuk përjashtohet mundësia për një tjetër rritje të normës bazë të interesit.

“Raporti tremujor konstaton se pasiguritë për të ardhmen janë shtuar dhe rreziqet ndaj inflacionit janë rritur. Në këtë mjedis, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të orientohen nga të dhënat e reja dhe nga përmbushja e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve”, thuhet në raport.

Rritja e inflacionit që është më e prekshme tek produktet e shportës, ndikon direkt tek qytetarët por edhe tek bizneset pasi gërryen fuqinë blerëse.

“Banka e Shqipërisë gjykon se vendosja e një raporti më të balancuar midis kërkesës dhe ofertës është e nevojshme për të mundësuar kthimin e inflacionit në objektiv. Inflacioni i lartë është i dëmshëm për familjet dhe bizneset, sepse ai gërryen fuqinë blerëse të të ardhurave, zhvlerëson kursimet, vështirëson planifikimin e të ardhmes dhe rrezikon të shoqërohet me një shpërndarje joefektive të burimeve prodhuese dhe financiare të ekonomisë”, vijon më tej raporti.

Lidhur me këtë, drejtori i Politikës Monetare në BSH, Erald Themeli theksoi se inflacioni në korrik-shtator është ulur më pak nga sa pritej, për këtë shkak u vendos që të rritej norma bazë e interesit për ta çuar në 3.25%.

“Trendi i uljes së inflacionit ka ardhur në ngadalësim. Rënia e inflacionit në tremujorin e tretë të vitit ka qenë më e ulët se ajo që prisnim ne. Arsyeja kryesore që u mor ky vendim (rritja e normës bazë të interesit) ishte se në gjykimin tonë kërkesa agregate në ekonomia, pra kërkesa për mallra dhe shërbime mbetet e lartë, dhe është burim presionesh inflacioniste”.

Sipas tij, ky vendim synon një balancim më të mirë të kërkesës dhe ofertës për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm të vendit.

“Kërkesa e fortë për mallra dhe shërbime po shoqërohet me rritje të pagave dhe të fitimeve të bizneseve shqiptare. Kemi pasur një rritje të përgjithshme të normave të interesit, por për faktin se rritja e normës nga Banka e Shqipërisë ka qenë më e ngadaltë se partnerët tanë, rritja në tregjet tona ka qenë më e ulët”, shprehet drejtori i Politikës Monetare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore