Sport

Shqipëria publikon listën e lojtarëve për ndeshjet me Spanjën dhe Gjeorgjinë


Kombëtarja e Shqipërisë ka publikuar listën e lojtarëve për dy ndeshjet miqësore me Spanjën dhe Gjeorgjinë.

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edoard Reja ka ftuar lojtarë që nuk kanë luajtur më herët për përfaqësuesen kuqezi, por pasi të dy ndeshjet janë miqësore, ata do kenë mundësinë të debutojnë.

Do ketë tre lojtarë që do kenë mundësinë të debutojnë, duke filluar me portierin Elhan Kastrati, i cili luan në ligën e dytë të Italisë në Seria B.

I dyti është mesfushori Kristjan Asllani, që po shkëlqen në Serie A me Empolin dhe mbrojtësi Adrian Bajrami, i cili luan në ligën portugeze me Benfica-n.

Mbrojtësi 19-vjeçar ishte grumbulluar fillimisht me Kombëtar U-21, por pas disa bisedave mes stafit, u vendos që ai të luaj për ekipin e parë kuqezi.

Për këto miqësore rikthehet edhe sulmuesi Giacomo Vrioni, i cili po kalon gjithashtu një formë të mirë me klubin e tij në Bundesligën austriake, së bashku me mbrojtësin Ivan Balliu, që ka munguar te Shqipëria në ndeshjet e fundit.

Shqipëria do të përballet me Spanjën në Barcelonë më 26 mars, ndërsa me 29 mars do të presë Gjeorgjinë në “Air Albania”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore