Shqipëria përmbyll me sukses gjithë procesin ‘screening’, hapi i radhës është hapja e kapitullit të parë negociues

Vitjon Nina
26.11.2023 9:46
Loading Icons...

Shqipëria ka përmbyllur me sukses të gjithë ekzaminimin analitik të përafrimit të ligjeve me Bashkimin Evropian, një proces i njohur me termin aquis, duke i lënë kështu vend si hap i radhës i integrimit, hapjen më në fund të kapitullit të parë negociues me BE-në.

I gjithë procesi ka zgjatur rreth 14 muaj dhe ka përfshirë mbi 1 mijë ekspertë nga Shqipëria dhe po aq nga Komisioni Evropian, siç saktëson një njoftim i ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Përmbyllja me sukses e kësaj faze fillestare e sjell kështu edhe një hap më tej përpara vendin, për ta përgatitur në procesin e vijueshëm të integrimit.

Hapi tjetër është hapja e grupit të parë për çështjet themelore. Një nxitje për angazhim intensiv, me synimin për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Më 17 nëntor, Shqipëria ka arritur të përmbyllë me sukses edhe shqyrtimin e klasterit të gjashtë të negociatave me Bashkimin Evropian, duke iu afruar kështu një hap më tej hapjes së kapitullit të parë negociues.

Lajmin e ka bërë të ditur zyra e BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, përmes një publikimi në median sociale X, njohur më parë si Twitter.

Thelbi në këtë kapitull është ai i zhvillimit të marrëdhënieve të jashtme, ku siç shpjegohet nga zyra e BE-së, Shqipëria e ka përmbyllur procesin “screening” për këtë klaster me shqyrtimin e politikave komerciale, politikave të zhvillimit dhe ndihmën humanitare.

Shqipëria mbyll shqyrtimin e klasterit të gjashtë të negociatave

Sigurimi i një pozicioni të linjëzuar të vendit kandidat, sa i takon ekonomisë ndërkombëtare dhe forumeve të tregtisë janë jetësore për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, siç shpjegohet edhe në publikim.

Në mbyllje të tetori, vendi dëshmoi po ashtu se po e vijonte me ritme shumë të shpejta procesin e shqyrtimit të përafrimit ligjor me Bashkimin Evropian, njohur ndryshe edhe si “screening”, ku kapitulli 22, i lidhur me politikën rajonale, ishte vendosur në tryezë.

Sipas një njoftimi zyrtar në faqen online të BE-së, ky proces shënon hapin fillestar në procesin e negociatave të anëtarësimit.

Ai filloi pas vendimit të Këshillit Evropian të Ministrave në qershor 2018, i cili përvijoi rrugën për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe ngarkoi Komisionin Evropian me punën përgatitore për shqyrtimin e legjislacionit shqiptar vis-a-vis acquis të BE-së.

Gjatë takimit dypalësh të 23 tetorit, për Kapitullin 22 “Politikat Rajonale”, delegacioni shqiptar prezantoi informacione në lidhje me përafrimin dhe zbatimin e legjislacionit të tij me acquis në lidhje me programet e Fondeve Strukturore dhe Fondit të Kohezionit, si dhe planet dhe strategjitë e tij të ardhshme në lidhje me to.

Prezantimet mbuluan një gamë të gjerë temash thelbësore për ofrimin e programeve pas anëtarësimit të Shqipërisë.

Këto përfshinin kuadrin institucional të programeve të ardhshme të menaxhimit të përbashkët, kapacitetin administrativ, rregullat e dukshmërisë dhe transparencës, parimet horizontale, menaxhimin financiar, mekanizmat e auditimit dhe kontrollit, monitorimin, sistemet e vlerësimit të performancës dhe mjetet territoriale.

Takimi u ofroi shërbimeve të Komisionit Evropian njohuri mbi nivelet e gatishmërisë së vendit dhe planet për përafrimin e mëtejshëm, duke ofruar indikacione paraprake për çështjet që mund të lindin gjatë negociatave të pranimit.

Hapi tjetër pas shqyrtimit të grupit mbi “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni” do të jetë raporti i Komisionit Evropian në Këshill mbi shkallën e gatishmërisë së Shqipërisë për anëtarësim në këtë grup.

Bazuar në propozimin e Komisionit në raportin e shqyrtimit, Këshilli, me vendim unanim, do të përcaktojë nëse do të vendosë standarde hapëse për çdo grup negociator.

Hapja e kapitujve

Sipas Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Shqipëria ka arritur kaq shumë tashmë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian dhe i gjithë procesi njohur si “screening”, ku shihet me imtësi përafrimi i legjislacionit mes BE-së dhe vendit kandidat, ka shkuar rrjedhshëm.

Për këtë arsye, presidentja e KE-së e ka të qartë se qëllimi i radhës, është ai i lëvizjes së mëtejshme, i dhënies së një marshi më shumë procesit dhe i hapjes së kapitujve të parë negociues për Shqipërinë.

Për këtë, ajo ka falënderuar edhe ekipet reciproke, të cilat po punojnë lidhur me negociatat Shqipëri-BE.

Më herët, një mesazh i parë i madh është dhënë nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë një konference për shtyp me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, përpara mbajtjes së Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë: Shqipëria po ecën në rrugën e duhur drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ka qenë kjo në fakt retorika kryesore, mbi të cilën von der Leyen e ka zhvilluar fjalën e saj gjatë konferencës.

Vetë Rama, përcaktoi fillimisht se zyrtarja e lartë evropiane e ka informuar atë për gjithë zhvillimet e procesit të njohur si “screening”, ku shihet paraprakisht një tablo e gjerë e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të unionit.

Në fakt, mbi këtë të fundit, Shqipëria ka ecur me hapa shumë të mirë dhe mund të hapë kapitujt e parë që prej fundit të këtij viti.

“Më vjen mirë që nga Presidentja dëgjuam fjalë të mira për këtë proces, sikundër dua t’u siguroj se nuk është personi që thotë vetëm fjalë të mira. Çka e bën më të rëndësishme fjalën e mirë”, tregoi kryeministri.

Ai shtoi po ashtu se ka folur për situatën në rajon, domosdoshmërinë e ecjes së përbashkët të vendeve të rajonit në integrimin evropian dhe mundësi për shfrytëzimin e kapaciteteve të Ballkanit.

Mbi këtë rrafsh, von der Leyen sqaroi se po ndërtohet një e ardhme e përbashkët dhe kjo duhet të krijojë mundësi të reja tregtie, që ekonomitë e Ballkanit dhe Evropës të afrohen.

Presidentja e KE-së nuk la pa përmendur edhe hapjen e Kolegjit Evropian në Tiranë, i cili do të shërbejë sipas saj për të rinjtë, që të kuptojnë më mirë dhe të zhvillojnë lidhjet mes tyre, duke krijuar kështu një raport më miqësor mes gjithë Ballkanit dhe Evropës.

Të fundit

Aktuale