Shqipëria

Shqipëria, ose “rruga e re e mëndafshtë” për Kinën


Kur vjen puna tek Shqipëria, SHBA-të duket se devijojnë nga indeferenca tek përfshirja e gjerë, nën dritën e një Kine të përfshirë shumë në rajon. Angazhimi i madh amerikan në shtetin e vogël ballkanik që gjen tek Shqipëria, nënvizon emergjencën e një konflikti të radhës potencial, mes ambicieve gjeopolitike kineze në rajon dhe përpjekjes perëndimore për t’i shtyrë tutje ato.

Kështu shkruan revista globale e specializuar në çështje gjeopolitike, “Foreign Policy”, në një artikull kushtuar Shqipërisë dhe intensitetit gjeopolitik që ajo sjell me pozicionimin e saj gjeografik.

Ndërsa shumë vende të Ballkanit Perëndimor kanë qenë hamës të mëdhenj të parave kineze, Shqipëria ka devijuar nga linja, duke zgjedhur të angazhohet pjesërisht me Pekinin.

 

Ndërsa ka rreth 120 projekte kineze me 32 miliardë euro investim në Ballkan – pjesa më e madhe në sektorin e energjetikës dhe infrastrukturës – Shqipëria ka shmangur marrjen e një borxhi të madh kinez, në doni të zhvillimit. Kjo, në vend të ofertave, të cilat nuk e cenojnë të ardhmen e vendit.

Washington-i, këtij vendimi shqiptar, i është përgjigjur në favor, duke kryer më shumë investime dhe duke ngushtuar lidhjet ushtarake.

Për shembull, një ndër lëvizjet e tilla, është vendosja e një baze ushtarake në Kuçovë. Po ashtu, vlen të përmendet edhe fakti se investimet amerikane janë rritur me rreth 48% në vitin e fundit.

 

Interesat e rinovuara të Washington-it janë dukur që në vitin 2020, kur Shqipëria u bashkua me iniciativën për Rrjet të Pastër (program i administratës Trump, i cili kërkonte të sfidonte dominimin e firmave kineze për sa i përket teknologjisë 4G dhe 5G).

Shqipëria, ishte në fakt vendi i parë i rajonit, i cili iu bashkua nismës.

Në fund të 2020-ës, zyrtarët e dy vendeve nënshkruan memorandumin e bashkëveprimit ekonomik, në Tiranë. Kjo i hapu rrugë investimeve në hidrocentralin e Skavicës apo termocentralin e Vlorës (vepra të lakuara së tepërmi nga diplomacia amerikane në Tiranë).

Por, pavarësisht se Shqipëria i ka sytë qartësisht nga Perëndimi, Kina nuk u spraps.

Në fund të tetorit 2021, ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, vizitoi Shqipërinë. Pekini në fakt, e ka mirëpritur rritjen e tregtisë me Tiranën – Kina është vendi i tretë për sa i përket importeve të Shqipërisë, pas Italisë dhe Turqisë.

Gjiri Adriatik i Shqipërisë, është po ashtu një objekt interesi për iniciativën e një rruge kineze drejt Mesdheut. Shqipëria, pikërisht kështu, shihet nga Pekini.

Historia gjithashtu, bën të vetën. Një epokë e ndjeshme e komunizmit, i lidhi dy vendet së tepërmi me njëra-tjetrën. Pavarësisht se lidhjet u prishën asokohe, kujtesa historike mbeti dhe ajo vijoi më pas me daljen shqiptare drejt demokracisë.

Mirëpo, vendet e Bashkimit Evropian dhe SHBA-të, po e vendosin gishtin fortë në peshore, për të shmangur animin e Ballkanit (veçanërisht Shqipërisë) për nga Kina. Të dy bashkësitë e fuqishme botërore, kanë ndërmarrë plane veprimi ekonomik dhe zhvillimorë, siç shpjegon Foreign Policy”.

Për më tepër, Shqipëria po bëhet gati të nisë bisedimet zyrtare me Bashkimin Evropian, për anëtarësim në union.

Sakaq, nga Qeveri të tjera të Ballkanit Perëndimor, fondet nga Pekini po shihen si burim i besueshëm financimi.

Por, për momentin, vullneti i Shqipërisë për të luajtur mes Brukselit, Pekinit dhe Washington-it, i jep vendit një mundësi të rrallë për të qenë një ndërmjetëse e fuqishme.

Serbia është partnerja kryesore e Kinës në Ballkanin Perëndimor, me investime që i kalojnë 8 miliardë eurot, por janë kryesisht në formën e huas.

Maqedonia e Veriut, ka marrë po ashtu hua nga Kina. Në mënyrë më “famëkeqe”, ishte Mali i Zi, ai i cili e futi veten në borxh të madh, pasi huazoi 1 miliardë euro nga Banka Kineze e Import-Eksporteve për të ndërtuar një autostradë.

Në jug, në Greqi, Kina kontrollon portin e Pireut (i katërti më i madhi në Evropë për numrin e kontejnerëve”. Një lëvizje kjo, e cila ka shkaktuar trazi në radhët e Brukselit.

Duke parë gjithë aktorët kyç, Shqipëria mundet potencialisht, të jetë shtegshënuesja e vendeve të vogla, të cilat kanë ngecur mes përballjes Perëndim-Kinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore