Shqipëria

Shqipëria nuk po e përdor teknologjinë për aftësimin e njerëzve


Shqipëria është i vetmi vend në rajon, i cili nuk e ka në prioritet përdorimin e teknologjisë, për zhvillimin e kapitalit njerëzor.

Kështu ka rezultuar nga një raport i publikuar prej Forumit Ekonomik Botëror, bazuar edhe në një anketë të zhvilluar në gjithë botën.

Ky raport, është referuar së fundmi nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal dhe ndryshe nga vendet e tjera rajonale (Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina), të cilat mendojnë të shfrytëzojnë revolucionin digjital për aftësimin e fuqisë punëtore, Shqipëria nuk e ka këtë prioritet.

Përpunimi i të dhënave është bërë nga “Markets of Tomorrow” dhe sipas tyre, tre teknologji në veçanti mund të bëhen të rëndësishme në Ballkan.

Përdorimi më i madh i teknologjive bujqësore është i pari, duke përllogaritur në ekuacion edhe mekanizmat vaditës, apo deri edhe te zhvillimi më i lartë me dronë bujqësorë.

Në raport, shfaqet si prioritet shumë i rëndësishëm në Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, por në Shqipëri, Kosovë e Bosnjë dhe Hercegovinë, shfaqet si më pak i rëndësishëm.

Më tej, anketa ka cilësuar prioritet arsimin dhe teknologjitë e zhvillimit të fuqisë punëtore, si çështje strategjike për avancimin në ekonomitë e Ballkanit.

Këtu përfshihet nga informatizimi, e deri te përdorimi i Inteligjencës Artificiale.

Teksa në vendet e tjera rajonale shihet si i rëndësishëm, apo disi i rëndësishëm, në Shqipëri nuk merret në konsideratë.

Pika e tretë lidhet mandej me gjenerimin dhe ruajtjen e energjisë, i cili pritet të jetë aspekt i një rëndësie strategjike në të ardhmen.

Në këtë pikë, të gjashtë vendet e shohin me rëndësi zhvillimin, teksa angazhimi më i lartë vërehet në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Implementimi i teknologjive të reja në sektorë të ndryshëm ndërkaq është bërë pjesë edhe e agjendave shumëvjeçare evropiane, në të cilat Shqipëria është përfshirë tashmë, me planin e ri ekonomik për Ballkanin Perëndimor.

Për t’u parë mbetet se si do të mund të implementohen këto teknologji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore