Vende

Shqipëria, një destinacion për të mos u humbur


Paçka se prej kohësh është injoruar, Shqipëria përfaqëson një destinacion që kombinon kulturën me bregdetin dhe ofron një alternativë të lirë për plazhet e njohura greke.

Në pamje të parë, pritet të të ngjallë mosbesim sepse e tregojnë si një tokë jomikpritëse për të huajt, në sfondin e mafies dhe trafikimeve.

E kur mbërrin, nisin surprizat.

Jo vetëm që standardet ndërkombëtare janë më se të respektuara, por asgjë nuk ndryshon nga një mbërritje në Italinë fqinje.

Tirana para së gjithash, ofron një fytyrë moderne me ndërtesat e saj të reja, por edhe ndërtesat  e saj historike. Duke kombinuar stilin otoman dhe atë sovjetik, qyteti ofron një mori ngjyrash pastel.

Sheshi “Skënderbej” ofron një pikënisje të mirë për të nuhatur atmosferën. Një shëtitje natën tregon gjithë vrullin e kryeqytetit shqiptar.

Dalë nga komunizmi në vitin 1992 mban ende plagët e historisë së tij të dhimbshme.

Diktatori Enver Hoxha, një frankofil që kishte studiuar në Francë, e mbushi qytetin me një mori bunkerësh ende të dukshëm dhe të hapur për publikun, stigmat e një lufte të ftohtë që shënjoi vendet e Ballkanit.

Sakaq, Shqipëria është plot me atraksione turistike.

E vendosur në bregdetin e Adriatikut, ka shumë plazhe me rërë dhe resorte të njohura bregdetare.

Durrësi, qyteti i dytë më i madh në vend me 200 mijë banorë dhe porti kryesor i vendit, ndodhet vetëm disa dhjetëra minuta nga Tirana.

Është një nga qytetet më të vjetra të Evropës.

Amfiteatri romak i qytetit, i ndërtuar në shekullin II para Krishtit, është një nga amfiteatrot më të mëdhenj të Perandorisë Romake dhe mund të strehojë deri në 20 mijë spektatorë.

Vendosur në qendër të qytetit, tani është i rrethuar nga ndërtesa banimi që së shpejti do të shkatërrohen për të shenjtëruar vendin.

Më në lindje, dy orë me makinë nga kryeqyteti, ndodhet Berati, një qytet i listuar si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Një qytet i famshëm për gurët e tij të vjetër dhe shtëpitë e tij tipike. Është quajtur edhe qyteti i një mijë dritareve për shtëpitë e tij të vjetra në shpatin e kodrës ku dritaret duken kaq të shumta në një pastel ngjyrash të paharrueshme.

Kurse nga ura mund të shihet një pamje panoramike e këtij ansambli arkitektonik që është një nga më të bukurit në vend.

Pastaj, Gjirokastra është një tjetër xhevahir i vendit. Perla e fshehur e Ballkanit, e njohur zakonisht si “qyteti i gurtë” me arkitekturë unike që daton nga epoka osmane.

Një tjetër perlë e njohur nga UNESCO që ia vlen të vizitohet.

Për pak orë mund ta gjesh veten në plazh.

Nga Vlora, peizazhet të lënë pa frymë. Një rrugë spektakolare dhe madhështore përmes malit që zhytet në det.

Panorama madhështore që nuk kanë asgjë për t’i pasur zili fqinjit grek. Në det të hapur, shihen brigjet e ishullit të Korfuzit.

Një rrugë shpeshherë dredha-dredha që lë kohë për të admiruar spektaklin e detit që ndryshon nën ritmin e dritës të çon në Dhërmi.

Atje të mirëpret atmosfera elegante, baret e plazhit, asgjë për t’u pasur zili për Saint-Tropez këtu, por me çmime shumë më të lira.

Mbi Dhërmiun, nuk duhet humbur qyteti antik.

Në lartësi, dikur qëndronte një kishëz. Një ndërtesë e restauruar dhe e shndërruar në një butik hotel luksoz jep pak shije të Rivierës Franceze.

Nuk është shumë nëse thuhet se Dhërmiu është një përzierje e Ibizës dhe e një fshati të vogël tradicional të largët.

Më tutje ndodhet fshati simpatik i Himarës dhe kalaja e saj e lashtë.

Gurë të vjetër të bardhë që të kujtojnë Greqinë fqinje. Kurse hardhitë i zbukurojnë këto rrugica me diell. Ndërsa disa shtëpi të braktisura i japin një bukuri të modës së vjetër.

Kështu që, Shqipëria mund të përjetojë të njëjtin zgjerim turistik si fqinji i saj kroat.

Është padyshim destinacioni për t’u zbuluar para se të zbarkojnë masat e turistëve

Marrë nga “France-Soir”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore