Shqipëria

Shqipëria në Pragë për “zgjidhjet e përbashkëta”


“Nuk është ide e re, por rilindje kur ka kohë krizash dhe shpresojmë mos të kemi kriza të tjera”.

Kështu e perifrazonte kryeministri shqiptar Edi Rama pikënisjen e takimit të parë të Komunitetit Politik Evropian.

Me përmbylljen e samitit të Pragës, dolën në pah dy tema qendrore si energjia dhe kushtet ekonomike.

Sipas portalit slloven “Siol”, Shqipëria mbështeti në një nga tryezat e rrumbullakëta pikërisht “zgjidhjet e përbashkëta”.

Tryeza për energjinë, klimën dhe kushtet ekonomike drejtohej nga kryeministri slloven Robert Golob së bashku me kolegen e tij islandeze Katrin Jakobsdottir.

“Sipas informacioneve jozyrtare, pjesëmarrësit, mes të cilëve presidentja e Komisionit von der Leyen, kryeministrja britanike Liz Truss, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, kryeministri holandez Mark Rutte dhe kryeministri shqiptar Edi Rama, theksuan dimensionin europian të çështjes në shqyrtim”, shkruan Siol.

Kështu, ata nuk u fokusuan tek zgjidhjet brenda kuadrit të BE-së, por tek gjetja e zgjidhjeve të përbashkëta, mësohet jozyrtarisht portali.

Liderët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit dhe reagimit të shpejtë ndaj situatës, njoftoi zyra e kryeministrit pas tryezës së rrumbullakët.

Më tej, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim drejt “zgjidhjes së përbashkët” me homologun grek Kyriakos Mitsotakis.

Sipas burimeve qeveritare greke, gjatë takimit të dy liderët shkëmbyen mendime për të gjithë gamën e marrëdhënieve dypalëshe dhe zhvillimet rajonale dhe konfirmuan vullnetin e tyre për thellimin e bashkëpunimit dypalësh.

Nga ana e tij, Mitsotakis nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë për rrugën evropiane të Shqipërisë, në përputhje me termat dhe kushtet e vendosura nga Këshilli Europian.

Ai iu referua edhe demarkacionit të zonave detare të dy vendeve dhe theksoi se dërgimi i çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, siç është rënë dakord, do të forcojë më tej marrëdhëniet e mira fqinjësore duke shfrytëzuar potencialin e tyre të plotë.

“Ky është një proces ligjor, ka një sërë rregullash, ka një sërë procedurash dhe ne do t’i respektojmë procedurat nga fillimi në fund sepse duhet të bëjmë shumë të qartë pozicionin tonë, duhet të bëjmë shumë të qartë çfarë ne synojmë në këtë proces dhe ai qëndrimi i unifikuar që kërkohet nga kjo gjykatë për çfarë synon njëra palë dhe çfarë synon pala tjetër, kërkon kohën e saj. Pra, nuk kemi një konsensus mes palëve”, deklaroi Rama për mediat pas mbylljes së samitit.

Njërën prej kërkesave “të zgjidhjes së përbashkët” të Shqipërisë e zbuloi vetë kreu i qeverisë në konferencë.

Ai kërkoi prej krerëve evropianë që të thirren ministrat e energjisë së rajonit në Pragë për të trajtuar çështjen e krizës energjitike si një problem evropian.

Rama zbuloi dhe angazhimin e tij të zakonshëm duke kërkuar edhe përfshirjen e të gjashta vendeve të Ballkanit Perëndimor, pavarësisht nëse i kanë hapur apo jo negociatat.

“Shqipëria ka një zë dhe një peshë tjetër, sepse përfaqëson më së miri vendet që nuk pjesë e Evropës së Bashkuar, por mbeten në Evropë”, ravijëzoi kreu i qeverisë në përmbyllje.

Pas dhjetërave takime me udhëheqës të ndryshëm evropianë, i vetmi moment që nuk ishte zgjidhje e përbashkët për Shqipërinë ishte ai i një stoli në bufenë e zbrazur të samitit.

Kësaj radhe, ëmbëlsira mbeti “zgjidhja e vetme” për në fund.

Merr jetë Komuniteti Politik Evropian – Çfarë dihet dhe nuk dihet për të?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore