Shqipëria

‘Shqipëria në orbitë’?


Në Kuvend, ilariteti në takimin ritual të së enjteve, nuk e mbyti dot ambicien hapësinore të qeverisë.

Ishte vetë kryeministri Edi Rama, ai që dha fjalën se nuk do të jetë e largët dita kur Shqipëria të mburret me satelitët e saj në orbitë.

“Dronët po e po, por do të sjellim edhe satelitë. Kontrolli mbi territorin, trafiqet dhe kufijtë do të kalojë në nivelin e teknologjisë. Sa më shumë t’u heqim inspektorëve kontrollin e bizneseve, aq më mirë do të jetë”, ka zbuluar ai.

Kryeministri nuk u kursye as për emrat që do të mbajnë satelitët.

“Do të çojmë dhe satelitë në orbitë, qeshni, po kur të shikoni satelitët ‘Shqipëria në Orbitë’ dhe jo mandatin tjetër, por vitin tjetër, satelitët ‘Albania 1’ dhe ‘Albania 2’, qeshni, por do t’i shikoni atje në orbitë”.

Ky pohim i tij, me nota vendosmërie dhe qartësie, të nxit paksa shqisën e hulumtimit.

E mundur është kjo?

Marrja e imazheve satelitore për të zbuluar të vërtetat e krimit nuk është utopi. Është një stad tjetër i teknologjisë, në ndihmë të përpjekjeve policore.

Madje, ka raste për këtë.

Në një rrugë pranë Manchester-it të Anglisë, pamjet satelitore u mundësuan detektivëve vendas identifikimin e anomalive të terrenit në gjetje të një trupi gruaje të groposur nga bashkëshorti i vet.

Për këtë qasje teknologjike, detektivët kanë pohuar asokohe se ishte një zgjidhje eksperimentale, por optimale për të minimizuar kostot e larta të hapjes së kilometrave të mbetur të fushës.

Kështu, “syri qiellor” u kurseu atyre muaj të tërë, të pafrytshëm, kanë treguar në atë kohë detektivët për të përditshmen “CNN”.

Ata janë shprehur se, edhe pse kërkimi për gjetjen e trupit ende vazhdonte, përparimi i bërë ishte i rëndësishëm.

Më herët, edhe autoritetet australiane i kanë përdorur satelitët për hetimet penale.

Flotat e errëta të peshkimit kanë pasur po ashtu të njëjtin fat të përndjekjes nga lart.

Mendohet se satelitët kanë zbuluar në vitet 2017 dhe 2018 këto flota ilegale në Oqeanin Paqësor rreth Rusisë, Japonisë dhe Koresë së Jugut e Veriut, tregon faqja “Space.om”.

Po në Evropë?

Për t’iu afruar sadopak të ngjashmëve, kjo teknologji e avancuar gjen përdorim edhe në Evropë.

Është Qendra Satelitore e BE-së, e cila siguron produkte dhe shërbimet që rezultojnë nga shfrytëzimi i aseteve përkatëse të hapësirës përfshirë imazhet satelitore.

Ndryshe e quajtur, SatCen, agjencia u mundëson, përveç të tjerëve si Frontex-i, edhe shteteve anëtare të BE-së, shërbimet e veta.

SatCen u ofron atyre produkte të inteligjencës gjeohapësinore për krimin dhe çështjet e sigurisë ndërkombëtare, si kontrolli kufitar, terrorizmi, pirateria, prerjet ilegale ose mosmarrëveshjet shtetërore ndërkufitare.

Vërehet se kohë pas kohe, teknologjia ka avancuar dhe imazhet e përcjella sigurojnë saktësi dhe besueshmëri më të lartë.

Madje-madje, mund të revolucionarizojnë policimin përmes mbikëqyrjes tejet të detajuar.

Nëse vendi ynë do të përqafojë këto teknologji, mbetet për t’u parë. E pamundur nuk ka pse të jetë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore