Shqipëria

Shqipëria në mbrojtje të ujgurëve


Shqipëria renditet mes 43 vendeve që avokojnë për të drejtat e ujgurëve.

Kjo është bërë me dije në një deklaratë ndër-rajonale të dhënë nga Franca mbi situatën e të drejtave të njeriut në Xinjiang – në emër të 43 vendeve – në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Përpos Shqipërisë, pjesë e kësaj deklarate janë edhe Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kroacia.

“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për situatën në Rajonin Autonom Ujgur të Xinjiang. Raportet e bazuara në të besueshme tregojnë ekzistencën e një rrjeti të madh kampesh të ‘riedukimit politik’, ku mbi një milion njerëz janë ndaluar në mënyrë arbitrare”, shkruhet në deklaratë.

Gjithashtu shtetet kanë theksuar se është parë një numër në rritje i raportimeve të shkeljeve të përhapura dhe sistematike të të drejtave të njeriut.

Në raporte dokumentohet tortura mizore, trajtimi çnjerëzor dhe poshtërues, sterilizimi i detyruar, dhuna seksuale dhe me bazë gjinore, si dhe ndarja e detyruar e fëmijëve.

Në deklaratë ravijëzohet se “ka kufizime të rënda mbi lirinë e fesë ose besimit dhe lirinë e lëvizjes, shoqërimit dhe shprehjes, si dhe në kulturën ujgure. Mbikëqyrja, e përhapur në mënyrë jo proporcionale, vazhdon të synojë ujgurët dhe anëtarët e pakicave të tjera”.

Represioni kolektiv i pakicave fetare dhe etnike është gjithashtu shqetësim i shprehur nga Procedurat Speciale të OKB-së në deklaratën e tyre të 29 marsit dhe letrën e publikuar nga ekspertët e OKB-së.

“I bëjmë thirrje Kinës që të lejojë akses të menjëhershëm, kuptimplotë dhe të papenguar në Xinjiang për vëzhguesit e pavarur, duke përfshirë Komisionerin e Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe Zyrën e saj, dhe mbajtësit e mandateve përkatëse të procedurave speciale, si dhe të zbatojë urgjentisht tetë rekomandimet e CERD-it në lidhje me Xinjiang-un”.

Frika e ujgurëve nga Kina

Vitet e fundit, shteti kinez ka shtrirë goditjen ndaj ujgurëve përtej kufijve, duke përdorur taktika agresive për t’i bërë njerëzit të heshtin, ose në disa raste për t’i ndaluar dhe kthyer ata në Xinjiang.

Të dhënat e publikuara në qershor nga projekti Ujgur i të Drejtave të Njeriut sugjerojnë se të paktën 395 ujgurë janë dëbuar, ekstraduar ose dhënë që nga viti 1997, megjithëse shifra reale mund të jetë shumë më e lartë.

Raporti i Amnesty International: Kina burgos dhe torturon ujgurët

Katër muaj më parë, Organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International, ka thënë se Kina po kryen krime kundër njerëzimit në Xinjiang, rajonin veri-perëndimor që është shtëpia e ujgurëve dhe pakicave të tjera myslimane.

Në një raport të botuar të enjten, Amnesty i bëri thirrje OKB-së për të hetuar. Ajo njoftoi se Kina kishte nënshtruar mbi ujgurët, kazakët dhe myslimanët e tjerë arrestime masive, mbikëqyrje dhe tortura.

Agnès Callamard, sekretarja e Përgjithshme e Amnesty International, akuzoi autoritetet kineze për krijimin e “një peizazhi shkatërrimtar të një shkalle marramendëse”.

“Duhet të tronditë ndërgjegjen e njerëzimit që një numër masiv njerëzish i janë nënshtruar shpëlarjes së trurit, torturave dhe trajtimeve të tjera degraduese në kampet e internimit, ndërsa miliona të tjerë jetojnë me frikë mes një aparati të gjerë vëzhgimi”, tha Callamard.

Ajo, gjithashtu, akuzoi sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, për “dështim për të vepruar sipas mandatit të tij”.

Guterres “nuk e ka denoncuar situatën, ai nuk ka bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar”, tha Callamard për agjencinë mediatike “BBC”.

“Është detyrë e tij të mbrojë vlerat mbi të cilat janë themeluar Kombet e Bashkuara dhe sigurisht të mos qëndrojë i heshtur përpara krimeve kundër njerëzimit”, tha ajo.

Krime kundër njerëzimit

Në një raport prej 160 faqesh bazuar në intervistat me 55 ish të përndjekurve, Amnesty tha se kishte prova që shteti kinez kishte kryer “të paktën krimet kundër njerëzimit: burgim ose privim tjetër të rëndë të lirisë fizike në shkelje të rregullave themelore të së drejtës ndërkombëtare, tortura dhe persekutim”.

Kina është akuzuar nga disa kombe perëndimore dhe grupe të të drejtave për ndjekjen e një gjenocidi kundër grupeve etnike turke në Xinjiang, megjithëse ka mosmarrëveshje nëse veprimet e shtetit përbëjnë një gjenocid.

Autori i raportit të Amnistisë, Jonathan Loeb, në konferencën për shtyp të enjten tha se hulumtimi i organizatës “nuk zbuloi të gjitha provat se mund të ketë ndodhur gjenocid”, por që deri tani “vetëm kishin gërvishtur sipërfaqen”.

Qeveria e Kinës i ka mohuar të gjitha akuzat për abuzime të të drejtave të njeriut në Xinjiang.

Dhunë e rëndë dhe kanosje

Ekspertët, përgjithësisht, pajtohen se Kina ka arrestuar deri në 1 milion ujgurë dhe myslimanë të tjerë dhe ka burgosur qindra mijëra të tjerë në shtypjen e saj në Xinjiang, i cili filloi në 2017.

Ka pasur raporte të përhapura të torturave fizike dhe psikologjike brenda burgjeve dhe kampeve të paraburgimit në rajon

Kina është akuzuar gjithashtu për përdorimin e sterilizimit të detyruar, abortit dhe transferimit të popullsisë për të ulur shkallën e lindjeve dhe dendësinë e popullsisë. Gjithashtu ajo akuzohet për detyrimin e  udhëheqësve fetarë të thyejnë traditat fetare dhe kulturore.

Kina i mohon ato akuza dhe thotë se kampe të saj në Xinjiang janë programe vullnetare profesionale dhe de-radikalizuese për luftën kundër terrorizmit në rajon.

Në mars, BE-të, SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja vendosën sanksione ndaj zyrtarëve kinezë mbi abuzimet e pretenduara. Kina u përgjigj duke vendosur sanksione hakmarrëse ndaj ligjvënësve, studiuesve dhe institucioneve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore