Kultura

Shqipëria, në kërkim për të shpëtuar fokën më të rrallë në botë


Një ekip biologësh detarë shqiptarë po gjurmojnë në ujërat e kaltra të detit Jon për një shenjë të një prej gjitarëve detarë më të rrallë në botë.

Dikur fokat mesdhetare gjendeshin me shumicë, por tani kanë mbetur vetëm disa qindra në grupe të vogla të shpërndara jashtë Shqipërisë, Greqisë dhe Turqisë dhe në Mauritania, në brigjet e Atlantikut të Afrikës.

Ka fije shprese për mbijetesën e tyre, pavarësisht nga një rënie dramatike e shkaktuar nga mbipeshkimi dhe zhvillimi i tepërt i habitatit të tyre bregdetar.

Ekspertët thonë se numrat kanë filluar të kthehen ngadalë falë krijimit të zonave të mbrojtura detare në vitet e fundit.

Fokat kanë kaluar nga “të rrezikuara në mënyrë kritike” në vitin 2015 në listën e kuqe të Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), në thjesht të rrezikuara.

Por ende janë jashtëzakonisht të vështira për t’u gjurmuar. Teksa më parë gjendeshin në plazhe, fokat tani janë tërhequr në sigurinë e shpellave të izoluara detare.

Eksperti i biodiversitetit Nexhip Hysolakoj ka treguar se në vendin tonë, “shkencëtarët kanë pikasur një pjesë të vogël të specieve falë punës së përpiktë për të identifikuar shpellat dhe limanet ku fshihen këto kafshë”.

Pesë vitet e fundit ata i kanë kaluar duke vendosur kamera në shpella dhe pika të tjera të izoluara përgjatë brigjeve të Adriatikut dhe Jonit të Shqipërisë jugore për të gjurmuar më mirë.

Hysolakoj, i cili punon në rezervatin detar Karaburun-Sazan, niset rregullisht nga porti i Vlorës me një anije të quajtur “Foka”, për të kontrolluar kartat e memories në kamerat e fshehura përgjatë vijës bregdetare.

Për të, është “një sfidë e vërtetë sepse për të kapur imazhet e duhura, ato duhet të pozicionohen drejt plazheve të brendshme të këtyre shpellave, ku fokat pushojnë”.

Fokat e fundit të Mesdheut të zbuluara nga ekipi u vunë re në janar kur kapën imazhe të një foke femër dhe të voglit të saj.

Po ashtu u fotografuan dy të tjerë në vitin 2020 dhe ka pasur një mori pamjesh të tjera nga turistët duke u përshëndetur si një fitore e vogël.

Studiuesit që gjurmojnë fokat kryesisht qarkullojnë në parkun kombëtar detar të krijuar në vitin 2010 përgjatë brigjeve të gadishullit të Karaburunit dhe ishullit të Sazanit.

Sipas vendasve, fokat e Mesdheut dikur ishin të shumta në plazhet shqiptare edhe pse ato rrallë gjurmoheshin apo monitoroheshin nga shkencëtarët, veçanërisht gjatë dekadave të sundimit të linjës së ashpër komuniste.

Por edhe atje popullatat e tyre u shkatërruan nga gjuetia dhe peshkimi i tepërt – me dinamit të përdorur shpesh – ndërsa ndotja, turizmi dhe ndryshimet klimatike kanë gërryer më tej numrat.

Gjuetia e paligjshme e fokave dhe “shkatërrimi i habitateve apo faktorë të tjerë e kanë detyruar atë të ndryshojë tërësisht sjelljen e saj biologjike”, ka treguar Aleksandër Trajçe, nga grupi mbrojtës i Mbrojtjes dhe Ruajtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri.

Ndaj kamerat dhe udhëtimet e rregullta në terren janë disa nga mënyrat e vetme për të vëzhguar shëndetin e specieve.

“Vetëm monitorimi i rregullt na lejon të identifikojmë praninë e fokës mesdhetare dhe të përcaktojmë vendet që duhen mbrojtur”, kanë treguar studiuesit francezë Jordi Salmona dhe Philippe Gaubert nga Laboratori i Evolucionit dhe Diversitetit Biologjik të Universitetit të Toulouse.

Sipas peshkatarëve, ujërat jashtë Shqipërisë janë zbrazur gjithnjë e më shumë nga peshqit me kalimin e viteve.

“Foka ushqehet kryesisht me peshq, kallamar dhe butak. Më pak peshk do të thotë më pak mundësi për to”, ka thënë Baci Dyrmishaj, një peshkatar në Vlorë.

Madje peshkatarët kanë shpikur edhe diçka të re për të mbrojtur fokat.

“Folat sjellin fat për ata që i shohin. Por nëse i shqetësoni apo i gjuani, do të keni fat të keq”.

Marrë nga “AFP”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore