Shqipëria

Shqipëria në histori, por jo për mediat në Shqipëri dhe Kosovë


Ndodh që një vend që ka qëndruar në margjinat e komunitetit ndërkombëtar prej shekujsh, një ditë, papritur gjendet në qendër të veprimtarisë së institucionit më të rëndësishëm në botë.

Ndodh edhe që ky vend, të jetë pikërisht Shqipëria.

Vendi im dhe yni, me kryeministrin i cili kryesoi një seancë shënjuese të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, gjatë Presidencës së Shqipërisë.

Nuk qe një seancë si dokudo, por ajo që hapi një debat të rëndësishëm për Ukrainën, që nga fillimi i luftës, më i gjeri e gjithëpërfshirësi ndoshta.

Një mbledhje gjatë së cilës ish-superfuqia, Rusia, një nga pesë vendet me ulëse të përhershme në organin më të lartë të krijuar ndër kombe për ruajtjen e paqes, u akuzua për pushtimin e Ukrainës.

Një ngjarje historike, e transmetuar drejtpërdrejt në mbarë botën nga selia e OKB-së, e cila më emocionoi si qytetare shqiptare dhe më mbajti të ngjitur pas kompjuterit një pasdite e një natë si gazetare.

Nëse do imagjinoja një radhitje lajmesh sipas rëndësisë për vendin tim, të cilat do desha të ndiqja e të mbuloja në jetë, ky patjetër është një nga më të rëndësishmit.

Sarkazma e Edi Ramës që i përgjigjet spontan dhe me mprehtësi Ambasadorit të Federatës Ruse, i cili kritikoi organizimin shqiptar për t’i kushtuar një seancë të Këshillit të Sigurimit çështjes ukrainase të pasuar nga ndërhyrja e Presidentit Zelensky, ishte diçka që më bëri krenare.

“Dua të siguroj kolegët e mi rusë dhe të gjithë të pranishmit se ky nuk është një operacion special i presidencës shqiptare. – Për këtë ka një zgjidhje: nëse jeni dakord, ndaloni luftën dhe presidenti Zelensky nuk do të flasë”, tha Rama.

Albanian Post vendosi të ndjekë live të gjithë mbledhjen, e cila do të vazhdojë sërish pasditen e sotme, dhe nuk ishim të vetmit në rang ndërkombëtar që e bëmë dhe zgjedhja dha rezultat edhe në numrin e lexuesve dhe ndjekësve tanë.

Por ajo që më la të habitur dhe pa fjalë qe mungesa e vëmendjes që iu kushtua nga tërësia e mediave kombëtare.

Në fakt – jo çuditërisht – mjaftoi një plagosje e ndodhur ndaj një efektivi policie, që të gjithë të rroknin kamerat e mikrofonët për të gjetur detaje mbi keqbërësin, a thua se 20 mijë euro shpërblim të vendosura nga Policia e Shtetit do t’i merrnin mediat.

Edhe nëse, kaq lirë vallë shitet fytyra publike e një pushteti të katërt që nuk duhet thjesht të mbijetojë në lëngim, por të lëngojë në frymën edukuese dhe ndikuese që duhet të tejçojë?

E pyeta veten, atëherë, mbi bazën e cilave kritere veprojnë kolegët e mi gazetarë, nëse i japin ende rëndësi deklaratës së fundit të një politikani të diskredituar si Sali Berisha dhe në vend të kësaj nuk e kuptojnë rëndësinë historike për vendin tonë të një ngjarjeje si ajo e djeshmja në New York.

Duket ende një mentalitet i trashëguar nga regjimi komunist, i një bote të mbyllur në vetvete, pa empati dhe pa interes për atë çfarë ndodh jashtë kufijve, për çfarëdo lloj argumenti apo situate.

Edhe ata të paktë që raportuan ngjarjen në televizione, më tepër u kufizuan në spektaklin e përgjigjes së kryeministrit Rama ndaj rusëve, duke shpërfillur në thelb rëndësinë e rolit ndërkombëtar që vendi ynë po merr muajt e fundit brenda spektrit politik perëndimor.

Është e vërtetë, një shtet me një grusht milionë banorësh e me pak fuqi faktike veprimi. Por, i cili u falënderua nga personalitete tejet të larta botërore, për organizimin e një tryeze jo ku Rusia po dënohet publikisht mbi krimet e kryera në Ukrainë, por ku platforma dhe vizione po shpalosen për gjithë reformimin e OKB-së dhe botës së civilizuar.

Nuk ka nevojë ndërkohë të përmendësh heshtjen e mediave, të cilat qartazi kanë orientim pro opozitës, të cilat ngjarje të një kalibri të tillë i shohin në fakt si një qëndrim pro Ramës dhe jo pro Shqipërisë.

E kam të vështirë të mendoj një vend tjetër ku do të kishte ndodhur kjo…

Mocioni që dënon pushtimin rus të Ukrainës ishte paraqitur tashmë në OKB nga ambasadori ynë në New York, Ferit Hoxha, me paraqitje të shkëlqyera diplomatike, të vlerësuara ndërkombëtarisht.

Ajo që ndodhi me seancën e djeshme në Kombet e Bashkuara, ishte zhvillimi direkt i një gjyqi të vërtetë politik, për atë që ishte superfuqia tjetër në 80 vitet e fundit.

Dhe zhvillimi i këtij gjyqi nxorri në pah dy elementë të rëndësishëm që nuk mund të mos nënvizohen.

Nga njëra anë vendet ballkanike ishin aty, të gjitha, me praninë e elementit shqiptar në rolet më të larta (Edi Rama në Presidencën e takimit të Këshillit të sigurimit, dhe Bujar Osmani nga Maqedonia e Veriut, si president i radhës i OSBE), duke vënë në dukje rëndësinë e rajonit dhe Shqipërisë në kontekstin ndërkombëtar. Në fakt kjo ishte dhe një nga obieksionet e Ambasadorit të Federatës Ruse në fillim të takimit.

Dhe elementi tjetër i rëndësishëm është, që pavarësisht si do të shkojë, debati për reformën e OKB-së u hap. Me shumë gjasë përjashtimi i Rusisë nuk do të ndodhë, por pa dyshim nevoja për reformim është e dukshme dhe e kërkueshme nga pjesa më e madhe e vendeve që morën pjesë.

Në këtë çast të veçantë, Shqipëria pati një rol historik, për të cilin në fakt historia do të flasë.

Por mediat shqiptare virulojnë rreth harresës, njëjtë si plagosja për të cilën sot askush s’po flet, por që integritetin gazetaresk përgjithnjë ia vrau.

Të gjithë mund ta urrejnë Edi Ramën, të gjithë mund të mos jemi dakord me atë çka tha ai, por duhet ta duam Shqipërinë sepse ky ishte rasti i volitshëm për dinjitetin, pozicionin dhe rolin që ka Shqipëria në historinë e saj ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore