Shqipëria

Shqipëria mirëpret vendimin e parlamentit bullgar për heqjen e veto-s ndaj RMV-së


Krerët qeveritarë dhe shtetërorë të Shqipërisë kanë mirëpritur vendimin e parlamentit bullgar për heqjen e veto-s ndaj Maqedonisë së Veriut.

Kjo, duke mbështetur propozimin e presidentit francez Emmanuel Macron.

Njëkohësisht kanë ardhur reagimet e presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Meta shkruan në median sociale Facebook se ky votim i hap rrugën nisjen së negociatave të anëtarësimit për të dyja vendet – referuar RMV-së dhe Shqipërisë.

“Më në fund erdhi lajmi i shumëpritur nga Bullgaria mike, që ka qenë gjithmonë një mbështetëse e vendosur e procesit tonë të anëtarësimit. Votimi nga Parlamenti bullgar për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, hapi rrugën për nisjen e negociatave të anëtarësimit për të dyja vendet tona”, shprehet fillimisht kreu i shtetit.

Presidenti vëren se mbetet në pritje të lajmit tjetër nga mbledhja e Këshillit Europian, e cila vijon ende.

Me 170 vota pro, parlamenti bullgar pranoi propozimin e Partisë Demokratike për t’i dhënë mandat Këshillit të Ministrave.

Kjo, për të pranuar propozimin e presidencës franceze për Maqedoninë e Veriut.

Fjala e fundit i takon Këshillit të Ministrave dhe kryeministrit bullgar.

Ndërkaq, Rama deklaroi pas heqjes së veto-s nga parlamenti bullgar se Bashkimi Evropian duhet të veprojë shpejt.

Lajmi u bë i ditur nga kreu i qeverisë, duke cituar statusin e tij në Twitter.

Referuar vendimit të parlamentit, kryeministri zhvilloi një telefonatë me kryetarin e partisë bullgare GERB, Boyko Borissov.

“Sapo mora një telefonatë nga Boyko Borissov. Nuk mund ta falënderoja sa duhet për mendimin e tij të mirë që më thirri, por mund ta falënderoja për rolin e tij përcaktues në heqjen e VETO-s në parlament!”, shkruan fillimisht Rama.

Sipas tij, Borissov u tregua mik dhe lider i vërtetë.

“Partia e tij GERB dhe partitë e tjera shpëtuan fytyrën e Bullgarisë dhe BE-së!”, thekson kryeministri shqiptar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore