Shqipëria

Shqipëria me dyfishin e mesatares së rajonit për vdekshmërinë foshnjore


Vdekshmëria foshnjore gjatë vitit 2021 – raporton INSTAT – qëndroi në nivele të larta në Shqipëri, duke e pozicionuar atë sërish me nivelet më të larta në Evropë dhe pothuajse dyfishin e nivelit të mesatares së rajonit sa i përket këtij fenomeni.

Një vit më parë, sipas të dhënave, humbën jetën 228 foshnja nën moshën 1 vjeç nga 281 në vitin 2020, konkretisht një rënie prej 18.8%.

Shkaku më i madh i fataliteteve te bebet në vitin 2021, parashtron INSTAT, ishin sëmundje që shfaqen në periudhën rreth lindjes, ose rreth 44% e të gjitha fataliteteve foshnjore.

Sipas shifrave zyrtare të INSTAT, shkaktari i dytë më i madh ishin “ndërlikimet në barrë, të lindjes dhe të periudhës së paslindjes”.

Nga kjo diagnozë kanë humbur jetën 21% e të gjitha fataliteteve, ndërsa 19% ishin nga sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut, 9.2% ishin anomali të bashkëlidhura, 3.5% probleme të aparatit të frymëmarrjes dhe 3.5% sëmundje të tjera.

Bazuar tek udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), një grua shtatzënë duhet të ketë të paktën katër vizita para lindjes, për të zvogëluar rrezikun e lindjeve të vdekura dhe ndërlikimet e shtatzënisë.

Vizita e parë duhet të ndodhë 8 deri në 12 javët e para të shtatzënisë.

Studime më të hershme të Institutit të Shëndetit Publik kanë gjetur se, pjesa më e madhe e vdekjeve te foshnjat ndodh në zonat rurale, në prindër me arsim të ulët.

Eurostat, nga ana tjetër, në një raport përmbledhës për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë vërejti se, Shqipëria e kishte vdekshmërinë foshnjore 10.3 për 1 mijë lindje të gjalla, fenomen, i cili mbeti i lartë edhe në 2020-n me 10 foshnje për 1 mijë lindje.

Kjo normë ishte më shumë se dyfishi i mesatares rajonale, raportoi Eurostat.

Pas Shqipërisë, Kosova renditet me normën më të lartë në rajon me 8.7 foshnja të vdekura për 100 lindje, Maqedonia e Veriut me 5.6, Serbia me 4.8 dhe Mali i Zi me 2.4.

Në BE, norma mesatare e vdekshmërisë foshnjore për vitin 2019 ishte 3.4.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore