Shqipëria

Shqipëria mbështet kauzën e protestave të grave iraniane pas “ngrirjes diplomatike”


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, deklaroi se mbështetja e Shqipërisë për gratë e Iranit nuk buron nga sulmi kibernetik i Iranit ndaj Shqipërisë, por se vendi ynë beson fort në të drejtën e qytetarëve për liri.

Lajmi u bë i ditur nga diplomacia shqiptare, duke cituar fjalën e kryediplomates gjatë takimit virtual të ministrave të jashtëm të organizuar nga ministrja e Jashtme e Kanadasë, Mélanie Joly.

Kjo, për shkeljen e të drejtave të njeriut në Republikën Islamike të Iranit.

“Si grua, ndihem krenare kur shoh se forca shtytëse e këtyre protestave janë gratë dhe vajzat iraniane. Ne mbështesim plotësisht luftën e grave të Iranit për respekt, drejtësi dhe barazi dhe Shqipëria ka dënuar me zë të lartë në të gjitha forumet ndërkombëtare përdorimin e dhunës fizike ndaj grave dhe mohimin e të drejtave dhe dinjitetit të njeriut”, u shpreh fillimisht Xhaçka.

Sipas saj, kjo është arsyeja pse Shqipëria do të mbështesë çdo nismë që synon t’i japë fund shkeljeve të tilla kriminale të të drejtave të grave dhe të gjithë qytetarëve dhe do të punojë ngushtë me të gjithë partnerët në këtë drejtim.

Ministrja Xhaçka vlerësoi homologen kanadeze për nismën e ndërmarrë, ndërsa theksoi se Shqipëria qëndron në krah të popullit iranian, i cili po lufton për të mbrojtur të drejtat e tij më elementare njerëzore.

Takimi

“Gratë tepër të guximshme të Iranit” meritojnë mbështetjen tonë, tha ministrja e Jashtme e Kanadasë gjatë një takimi me një grup homologesh të saj femra nga e gjithë bota.

Sipas saj, gratë e Iranit po flasin qartë, të cilat nuk do të tolerojnë më vizionin e regjimit për gratë në shoqëri.

Tubimi trajtoi protestat njëmujore që filluan me vdekjen e Mahsa Amini-t muajin e kaluar në Iran, ndërsa ishte në paraburgim nga policia.

Joly tha se tubimi “tregon solidaritet global për gratë iraniane dhe i thotë regjimit iranian se bota po shikon”.

“Ne kemi një përgjegjësi për të ndihmuar në përforcimin e zërave të grave në Iran”, shtoi kryediplomatja kanadeze.

Irani ka akuzuar vendet që kanë shprehur mbështetje për protestat për ndërhyrje në punët e tij të brendshme.

Nahayat Tizhoosh, i Korporatës Kanadeze të Transmetimeve, shkroi të enjten se mes folësve në konferencën virtuale ishte edhe Shirin Ebadi, një avokate iraniane dhe laureate e Çmimit Nobel për Paqen.

Zyrtaret femra u vendosën të dëgjonin nga gratë me origjinë iraniane dhe të diskutonin mënyrat për të koordinuar përpjekjet në mbështetje të iranianëve.

Amini, një grua 22-vjeçare nga rajoni i Kurdistanit të Iranit, u arrestua më 13 shtator nga e ashtuquajtura Policia e Moralit për mbajtje të pahijshme të hixhabit.

Ajo vdiq tre ditë më vonë ndërsa ishte në paraburgim nga policia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore