Shqipëria

Shqipëria ka zgjedhur Evropën sa herë ka qenë e lirë, thotë Spiropali në takim me Fajon


Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka pritur në takim zëvendëskryeministren dhe njëkohësisht ministren e Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, ku ka theksuar faktin se Shqipëria kur ka qenë e lirë të zgjedhë, gjithnjë ka shkuar nga ana e Bashkimit Evropian.

Në takim ishin të pranishme edhe Kryetarja e Komisionit për Punët e Jashtme të Kuvendit, Mimi Kodheli, dhe Kryetarja e Komisionit për Çështjet Evropiane, Jorida Tabaku.

Spiropali vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve tona, të cilat vijojnë të zhvillohen mbi bazën e miqësisë, interesit të dyanshëm, partneritetit në NATO, përshpejtimit të rrugëtimit evropian të Shqipërisë si edhe bashkëpunimit për avancimin e nismave rajonale.

“Shqipëria i është mirënjohëse Sllovenisë për mbështetjen e fuqishme të anëtarësimit në BE si edhe të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne jemi të vendosur drejt perspektivës evropiane dhe nuk kemi asnjë alternativë tjetër”, theksoi ajo gjatë takimit.

Po ashtu, sipas Spiropalit, në këtë çështje, mazhoranca dhe opozita janë në një proces bashkëpunimi në strukturat e Kuvendit, Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian dhe Komisionin për Çështjet Evropiane.

“Mbështetja e Sllovenisë për zhvillimin dhe bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor është një kontribut për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon e më gjerë. Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen nga Sllovenia të Kosovës dhe rritjes së rolit të saj në organizatat e marrëdhëniet ndërkombëtare”, përmendi më tej kryetarja e Kuvendit.

Spiropali e falënderoi ndër të tjera Fajon-in edhe për kontributin personal në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe të rajonit edhe në kontekstin e grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”.

Kryetarja e Komisionit për Punët e Jashtme të Kuvendit Mimi Kodheli dhe Kryetarja e Komisionit për Çështjet Evropiane, Jorida Tabaku, nënvizuan kontributin e komisioneve përkatëse në procesin e integrimit evropian.

Vetë Fajon, falënderoi Spiropalin për vlerësimin e bashkëpunimit dypalësh dhe nënvizoi se Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor do të vijojnë të kenë mbështetjen e vendosur të Sllovenisë drejt anëtarësimit në BE.

“Ne duhet të shfrytëzojmë momentumin gjeostrategjik për integrimin e vendeve të rajonit dhe pranimi i vendeve si Shqipëria do ta bëjë BE më të madh dhe më të fortë. Parlamentet kanë një rol kyç në procesin e anëtarësimit dhe bashkëpunimi i të gjitha grupeve parlamentare është i domosdoshëm dhe i rëndësishëm”, përmendi ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore