Shqipëria

Shqipëria i bashkohet paketës së tetë të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë


Tetë vende, përfshirë Shqipërinë, iu bashkuan vendimit të Këshillit të Bashkimit Evropian për paketën e tetë të sanksioneve kundër Rusisë, të miratuar në fillim të tetorit.

“Vendet kandidate Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria dhe Ukraina, vendi kandidat potencial Bosnjë dhe Hercegovina, si dhe vendet e EFTA-s, Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia, anëtare të Zonës Ekonomike Evropiane, rreshtohen me këtë Vendim të Këshillit”, thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të BE-së.

Siç u përmend, këto vende do të sigurojnë që politikat e tyre kombëtare të jenë në përputhje me këtë Vendim të Këshillit.

“Bashkimi Evropian e merr parasysh këtë angazhim dhe e mirëpret atë”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Paketa e rënë dakord fut në legjislacionin e BE-së bazën për vendosjen e kufirit të sipërm të çmimit për transportin detar të naftës ruse në vendet e treta dhe kufizime të mëtejshme për transportin detar të naftës bruto dhe produkteve të naftës drejt vendeve të treta.

Për më tepër, BE-ja ka vendosur kufizime shtesë të importit për pulpë druri dhe letër, cigare, plastikë dhe kozmetikë, si dhe artikuj të përdorur në industrinë e bizhuterive, si gurët dhe metalet e çmuara, të cilat përgjithësisht gjenerojnë të ardhura të konsiderueshme për Rusinë.

Bashkimi Evropian miratoi gjithashtu vendimin për të vendosur sanksione ndaj 30 individëve dhe shtatë personave juridikë në lidhje me agresionin rus kundër Ukrainës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore