Shqipëria

Shqipëria është (edhe) Biodiversitet


Në sheshin kryesor të kryeqytetit, gumëzhijnë ecejaket dhe shëtitjet e qytetarëve ditë-natë, ditë-fundjavë.

Pikërisht, muajin e fundit në ballë të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit një mozaik autentik ka zënë me guxim hapësirën e shikimit për kryeqytetasit, turistët të gjithë nxitimthi e jo vetëm.

Ka nga ata që kanë ndaluar për të parë speciet me radhë e për të kuptuar se Shqipëria që njohin është (edhe) Biodiversitet.

Tirana u transformua për të festuar natyrën mahnitëse dhe të larmishme të vendit nën moton “Shqipëria është Biodiversitet”.

Nëpërmjet kësaj fushate OJQ-ja Mbrojtja dhe Ruajtja e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) dëshiron të frymëzojë njerëzit duke sjellë natyrën në pragun e tyre.

Ata e bënë këtë duke riprodhuar mozaikun që zbukuron fasadën e Muzeut Historik Kombëtar me një pankartë madhështore që paraqet speciet më ikonike të Shqipërisë ngjitur me muzeun.

Figurat që kanë rëndësi historike për vendin në mozaikun origjinal janë zëvendësuar në mënyrë gjeniale nga specie nga pelikani dalmat (Pelecanus crispus) deri te ariu i murrmë (Ursus arctos). Mesazhi? Natyra është një pjesë integrale e kulturës dhe historisë së pasur të Shqipërisë dhe meriton të ruhet për brezat që do të vijnë.

Shqipëria është një pikë e nxehtë biodiversiteti dhe një shtëpi për shumë specie të rrezikuara si rrëqebulli i Ballkanit (Lynx lynx balcanicus), shkaba egjiptiane (Neophron percnopterus) dhe tulipani shqiptar (Tulipa albanica).

Për të folur më shumë lidhur me veprën artistike dhe jo vetëm, bashkëngjitur programit edukativ për brezat e rinj, Albanian Post kontaktoi me menaxherin e projektit në PPNEA, Zydjon Vorpsi.

Ai theksoi se koncepti i aktivistëve mjedisorë dikton faktin se krahas vlerave kulturore Shqipëria ka një pasuri ndërshekullore e cila ka qenë aty dhe ne duhet ta ruajmë akoma që është “natyra”.

Madje, Vorpsi ka edhe një mesazh për autoritetet shqiptare duke iu kujtuar se burimet natyrore nuk janë të pambarueshme dhe se këto rezerva duhet t’i ruajmë dhe duhet të jemi krah komuniteteve lokale për t’i mbrojtur ato.

Intervista e plotë me menaxherin e projektit të PPNEA-s, Zydjon Vorpsi:

-Fillimisht, si është pritur nga publiku i gjerë gjatë këtyre ditëve instalacioni dhe ideja për të lëvduar një aset kombëtar i cili nuk shkon krahas zhvillimit të vendit (ndërtimit) por ruajtjes dhe vlerësimit të risqeve në florën dhe faunën e vendit?

Publiku i gjerë ditët e para ka qenë i surprizuar, kanë ardhur kanë pyetur njësoj siç vazhdon edhe sot. Ka qenë i ndarë në grupe të ndryshme, disa që kishin informacion për llojet që ne kemi, disa të tjerë që nuk e besonin që ne kishim fokën, kalin e qyqes dhe rrëqebullin. Disa të tjerë kanë keqkuptuar dhe konceptin duke thënë pse ju i krahasoni, por në fakt ajo është për të thënë që krahas vlerave kulturore ne kemi një pasuri ndërshekullore e cila ka qenë aty dhe ne duhet ta ruajmë akoma që është natyra.

-Së dyti, në kuadër të promovimit të Biodiversitetit në Shqipëri, si paraqitet situata me speciet të cilat janë në rrezik dhe a ka një vëmendje të shtuar nga ana e autoriteteve për atë që është edhe tema kryesore e fushatës suaj?

Fatkeqësisht kur flasim për vëmendjen e autoriteteve janë të fokusuar vetëm në pjesën e promovimit më shumë se sa në pjesën e mbrojtjeve. E them këtë, sepse shumë nga masat e propozuara, shumë nga ndërhyrjet që ne kemi thënë që duhen bërë për të përmirësuar statusin e llojeve të jetës së egër nuk janë bërë, nuk janë implementuar. Nga ana tjetër, situata në terren dukshëm ka një mungesë të theksuar të organeve ligjzbatuese që e kontrollojnë ose zbatojnë ligjin për mbrojtjen e jetës së egër. Ne kemi një moratorium gjuetie që nuk funksionon dhe vritet pa teklif kudo, përdoren helme, urbanizimi i zonave të mbrojtura, zhvillime infrastrukturore po bëhen në zonat më të rëndësishme për biodiversitetin. Pra, promovimi dhe marrja e vëmendjes nga jeta e egër duhet të shkojë patjetër me masa konkrete që e ruajnë jetën e egër dhe e cila nuk po ndodh në momentet që po flasim.

-Duke kthyer kokën nga rajoni e më gjerë, ku qëndron Shqipëria sipas mendimit tuaj me politikat e saj ambientaliste duke qenë se në vendin tonë mungon mirëfilli një Parti e Gjelbër?

Ndoshta, ligjet dhe politikat mjedisore janë relativisht të mira. Ne kemi një përqindje të madhe të legjislacionit të BE-së të transpozuar me legjislacionin shqiptar, por lëvizja mjedisore në vetvete nuk është e atyre përmasave që do duhej të ishte duke marrë parasysh pasuritë natyrore që ne kemi. Burimet natyrore nuk janë të pambarueshme dhe ne këto rezerva duhet t’i ruajmë dhe duhet të jemi krah komuniteteve lokale për të mbrojtur burimet ujore, lagunat bregdetare, masivet pyjore dhe do të thoja që Shqipëria ka një mungesë të theksuar dhe fushata jonë më së shumti ka të bëjë pikërisht me këtë. Ne duam të zgjerojmë dhe të afrojmë afër vetes njerëz të cilët të përfshihen në komunitetin e ruajtjes së natyrës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore