Shqipëria

Shqipëria do të ofrojë 27 milionë euro letra me vlerë 5-vjeçare


Shqipëria do të ofrojë 3 miliardë lekë letra me vlerë pesëvjeçare në një ankand të datës 26 prill, tregojnë të dhënat e bankës qendrore.

Letrat me vlerë të qeverisë do të maturohen më 13 shkurt 2028.

Në ankandin e fundit të letrave me vlerë pesëvjeçare të mbajtur në mars, ministria e financave shiti 3.45 miliardë lekë letra me vlerë të qeverisë. Kuponi ishte 6%, i pandryshuar krahasuar me ankandin e mëparshëm të letrave shtetërore pesëvjeçare të mbajtur në shkurt, sipas shifrave të publikuara nga banka qendrore.

Në ankandin e datës 18 prill, Shqipëria ofroi 9 miliardë lekë bono thesari njëvjeçare.

Rreth 4 miliardë lekë oferta ishin rezervuar për bankën qendrore.

Kapërcimi më i ndjeshëm në yield-et e Bonove 12-mujore ishte në ankandin e muajit mars të vitit 2022, i pari pas rritjes së normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë.

Yield-i mesatar u rrit në 2.19%, nga 1.79% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Ankandi i prillit dha sinjale stabilizimi, por sërish kërkesa e tregut për Bono rezultoi pak më e ulët se shuma e shpallur për shitje nga Ministria e Financave.

Përkundrejt 9.7 miliardë lekë Bono të nxjerra në shitje, kërkesa totale në ankand arriti në 9.57 miliardë lekë.

Megjithatë, edhe hendeku mes kërkesës dhe ofertës u ngushtua ndjeshëm në raport me ankandet e mëparshëm. Ekspertët e tregut shpjeguan se ulja e kërkesës së investitorëve në ankand gjatë muajit mars dhe pjesës së parë të prillit ka qenë kryesisht e lidhur me pritshmërinë për rritje të normave të interesit.

Obligacionet 5-vjeçare janë pjesë e projektit të titujve referencë, të ndërmarrë nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë, me qëllim zhvillimin e tregut dytësor të titujve.

Në ankandet e këtyre titujve marrin pjesë në mënyrë direkte vetëm pesë banka tregtare që kanë lidhur marrëveshje me Ministrinë e Financave për këtë qëllim, të përcaktuar si Zhvillues të Tregut. Pjesëmarrësit e tjerë të interesuar mund të marrin pjesë vetëm nëpërmjet këtyre subjekteve.

Për instrumentet me maturim afatgjatë, tregu po karakterizohet ende nga një hezitim i konsiderueshëm i investitorëve. Kjo është e lidhur kryesisht me pritshmëritë për rritje të mëtejshme të normave të interesit, që mund t’i bëjë më pak të leverdisshme investimet me yield-et aktuale në afatin e mesëm dhe të gjatë.

Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar një normalizim gradual të politikës monetare në afatin e mesëm, që nënkupton rritje graduale të normës bazë të interesit. Rritja e fortë e inflacionit që ka prekur ekonominë shqiptare këtë vit, kryesisht si rezultat i pasojave që shkaktoi lufta në Ukrainë në tregjet e mallrave, bëri që procesi i rritjes së normave të interesit të niste më herët nga sa parashikohej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore