Shqipëria

Shqipëria bojkoton dhe e quan “provokim cinik” fjalimin e zyrtares ruse të kërkuar nga ICC-ja


Shtetet e Bashkuara, Shqipëria, Britania dhe Malta bojkotuan fjalën e të dërguarës së Rusisë për të drejtat e fëmijëve – të cilin Gjykata Ndërkombëtare Penale dëshiron ta arrestojë me akuza për krime lufte – ndërsa ajo foli me video me anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mërkurën e 5 prillit.

Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara bllokuan takimin jozyrtar për Ukrainën, të thirrur nga Rusia për t’u fokusuar në “evakuimin e fëmijëve nga zonat e konfliktit”, nga transmetimi në internet nga Kombet e Bashkuara.

Diplomatët u larguan nga salla e konferencave të OKB-së ku po zhvillohej diskutimi teksa fliste komisionerja ruse Maria Lvova-Belova.

“Shqipëria mori pjesë në takimin e Arria-formulës së Rusisë për ‘evakuimin’ e fëmijëve ukrainas nga Ukraina në Rusi, por doli nga dhoma kur Maria Lvova-Belova, e paditur nga GJNP iu dha fjala, për të treguar kundërshtimin dhe refuzimin e saj për këtë provokim cinik”, shkruan misioni diplomatik shqiptar në OKB.

Sipas tyre, Belova, e cila është nën urdhër-arrest nga ICC-ja, “në vend që të ligjërojë në Këshillin e Sigurimit për situatën e fëmijëve në Ukrainë, ajo duhet të paraqitet në një gjykatë për t’iu përgjigjur akuzave shumë të rënda të ngritura kundër saj”.

Ambasadorja e SHBA-ve në OKB, Linda Thomas-Greenfield, u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara iu bashkuan Shqipërisë dhe Britanisë në bllokimin e transmetimit në internet.

Kjo, në mënyrë që Lvova-Belova të mos kishte “një podium ndërkombëtar për të përhapur dezinformata dhe për t’u përpjekur të mbronte veprimet e saj të tmerrshme që po ndodhin në Ukrainë”.

Gjykata Ndërkombëtare Penale muajin e kaluar lëshoi një urdhër arresti kundër presidentit rus Vladimir Putin dhe Lvova-Belova.

Ata akuzohen për deportim të paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina dhe transferim të paligjshëm të njerëzve në Rusi nga Ukraina që prej nisjes së pushtimit.

Moska zyrtare tha se urdhrat ishin ligjërisht të pavlefshëm pasi Rusia nuk ishte nënshkruese e traktatit që themeloi ICC-në.

Autoritetet ruse nuk kanë fshehur një program sipas të cilit ka sjellë mijëra fëmijë ukrainas në Rusi, por e paraqet atë si një fushatë humanitare për të mbrojtur jetimët dhe fëmijët e braktisur në zonën e luftës.

Lvova-Belova tha se që nga shkurti i vitit 2022, rreth 5 milionë ukrainas, përfshirë 700 mijë fëmijë, kishin udhëtuar në Rusi.

“Rusia pretendon se po i mbron këta fëmijë. Në vend të kësaj, kjo është një politikë e llogaritur që synon të fshijë identitetin dhe shtetësinë ukrainase”, tha gjatë takimit diplomatja britanike Asima Ghazi-Bouillon, duke u kthyer në dhomë pasi Lvova-Belova kishte folur.

Gjatë deklaratës së saj Lvova-Belova shfaqi video të fëmijëve ukrainas në Rusi, më pas tha: “Dua të theksoj se ndryshe nga pala ukrainase, ne nuk i përdorim fëmijët për propagandë”.

Ambasadori i Rusisë në OKB Vassily Nebenzia u tha gazetarëve muajin e kaluar se takimi jozyrtar ishte planifikuar shumë kohë përpara shpalljes së ICC-së dhe nuk kishte për qëllim të ishte një kundërshtim i akuzave kundër Putinit dhe Lvova-Belova’s.

Diplomatët kanë thënë se është e rrallë që një transmetim në internet i OKB-së të bllokohet.

Megjithatë, muajin e kaluar Kina bllokoi transmetimin në internet të OKB-së të një takimi jozyrtar të Këshillit të Sigurimit të thirrur nga SHBA-të mbi abuzimet e të drejtave të njeriut në Korenë e Veriut.

Rusia përdor presidencën në Këshillin e Sigurimit për të gënjyer mbi rrëmbimet e fëmijëve nga Ukraina, Shqipëria dhe 49 vende anëtare në OKB e dënojnë aktin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore