Shqipëria

‘Shqipëria Bëhet’ – Lapaj prezanton lëvizjen e re politike, kërkon bashkim mbarëkombëtar dhe katër reforma themelore


Është prezantuar lëvizja më e re politike në Shqipëri, e mbiquajtur “Shqipëria Bëhet”, ku aktivist kryesor në të është avokati Adriatik Lapaj.

Përmes një komunikate për shtypin, bëhet me dije se kjo lëvizje do të kërkojë të ketë një shtrirje mbarëkombëtare, duke përfshirë forume në 61 bashkitë  e vendit, advokim legjisltativ dhe debat publik, për t’i dhënë “peshë mendimit, fjalës dhe të drejtës së qytetarit”.

Fillimisht, platforma e prezantuar ka të bëjë me disa themele, ku përfshihen nevoja e angazhimit për hapjen e një debati kombëtar për vendosjen e demokracisë reale në vend dhe të shtetit të së drejtës.

Po ashtu, kërkohet edhe fillimi i një bashkimi mbarëkombëtar, përtej ndarjeve ideologjike, për të imponuar themelet e demokracisë reale.

Më tej, shprehet edhe nevoja për një lëvizje intelektuale dhe të unifikuar mbarëkombëtare për të diskutuar dhe konkluduar për imponimin e një reforme totale kombëtare të fokusuar në katër reforma.

Reformimi i sistemit zgjedhor në Shqipëri duke hapur konkurrencën nëpërmjet hapjes së listave, kufizimit të mandateve qeverisëse dhe përfaqësuese.

Miratimi i ligjit “Për referendumet” në Republikën e Shqipërisë.

Miratimi i votës së emigrantëve duke përcaktuar modalitetet e përfaqësimit të tyre.

Depolitizimi i administratës zgjedhore në të gjitha nivelet duke e hequr atë nga politika dhe duke e kaluar në profesione të lira (avokat, noter, profesionistë të licencuar, si dhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë si gjyqtarë dhe prokurorë).

“Në kuadër të pikave të mësipërme, ‘Shqipëria Bëhet’  do të shtrijë takimet e saj me qytetarë dhe ekspertë, në Shqipëri dhe Diasporë, duke e nisur të shtunën se 23 Shtatorit me banorët e Mirditës. Duke ju falënderuar për prezencën dhe bashkëpunimin, ju ftojmë të na kontaktoni për çdo informacion të mëtejshëm”, përmbyllet njoftimi zyrtar i kësaj nisme të re politike në vend.

Teksa, themeluesi i saj, Lapaj, gjatë një fjale të shkurtër, premtoi se nuk do të jetë ai qendër e gjithë krijimit të ri politik, por strukturat do të flasin me “NE” dhe përqendrimi më i madh do të jetë ai se çdo gjë duhet të bazohet te e drejta ligjore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore