Shqipëria

Shqipëri – SHBA, memorandum mirëkuptimi mes universiteteve


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në vizitën e tij në Detroit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është ndalur në Universitetin Shtetëror të Michigan-it.

Ai ka njoftuar për nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi mbi nisjen e partneritetit të këtij universiteti me atë Bujqësor të Tiranës.

Rama ishte i shoqëruar nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi.

“Kjo është rruga e hapjes së universiteteve tona ndaj universiteteve ndërkombëtare, me programe e projekte të përbashkëta, të cilat do t’u mundësojnë të rejave e të rinjve shqiptarë studime të nivelit të lartë pa u larguar domosdoshmërish nga Shqipëria”, tha kryeministri.

Kështu vitin e ardhshëm një grup pune nga universiteti amerikan do të vizitojnë Tiranën.

“Ishte vizitë e jashtëzakonshme nga pikëpamja e interesit, për të krijuar një lidhje mes universitetit të famshëm të SHBA-ve dhe universitetit tonë të Bujqësisë e jo vetëm”, u shpreh Rama.

Sipas numrit një të Qeverisë, ky bashkëpunim ka ardhur si pasojë e miqësisë së pedagogëve të këtij universiteti në Afganistan me afganët që janë strehuar në Shqipëri.

Ministrja Kushi, në seancën plenare të 16 shtatorit, ka njoftuar se, për shkak se shumë studentë largohen jashtë vendit pas gjimnazit, “ne kemi vendosur që një nga mekanizmat tona do të jetë bashkëpunimi i ngushtë me universitetet më prestigjioze në botë”.

Bashkëpunimi i universiteteve shqiptare me ato të huaj është një nga nismat e reja të qeverisë Rama, pas marrjes së mandatit të tretë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore