Shqipëria

Shqipëri: Nën kërcënimin e armës u vidhet vetura të rinjve kosovarë


Në aksin rrugor Milot-Rrëshen disa persona të pa identifikuar kanë ndaluar një makinë të tipit “Audi” me të cilën udhëtonin dy të rinj nga Kosova, ua kanë marrë mjetin dhe janë larguar.

Policia ka njoftuar se akoma nuk kanë arritur të identifikojnë personat nga Shqipëria por, kishin në pronësi një makinë të tipit “BMW”.

“I kanë bërë shenjë ndalimi mjetit tip “Audi” me drejtues shtetasin M.A., 21 vjeç dhe pasagjer shtetasin F.M., 21 vjeç, banues në Kosovë, ku pasi kanë ndaluar, ju kanë marrë automjetin dhe janë larguar”.

Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor menjëherë pas marrjes së njoftimit kanë shkuar në vendngjarje dhe “po punojnë për fiksimin e çdo provë të vlefshme që do ti shërbejë hetimit, për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e dokumentimin e kësaj ngjarje”, ka bërë të ditur policia.

Policia ka bërë të mundur shoqërimin në komisariat të disa shtetasve, që mund të kenë dijeni për ngjarjen, si dhe janë sekuestruar pamje filmike, si dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje, me qëllim kapjen e autorëve.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, vijon puna për zbardhjen e dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje.

Babai i Meriton Ahmetajt, të riut që mbrëm iu vodh vetura në Rrugën e Kombit, deklaroi se djalin e tij e kishin kërcënuar me të shtëna kallashnikovi dhe armën në kokë.

Rrahman Ahmetaj për Klan Kosova ka sqaruar se të rinjtë fillimisht kishin menduar se ishin duke u ndjekur nga policia e shtetit, por pas ndaljes e kuptuan se ishte tjetër gjë.

“Ka qenë një tmerr i vërtetë. Meritoni, djali im, 21 vjeçar, ka qenë i shoqëruar me Fatlind Morinën, i cili e ka pasur ditëlindjen me 1 shtator dhe kanë qenë duke u kthyer nga Budva”.

“Në Milot janë ndalur për të marr pije afër një marketi dhe një makinë me targa italiane i ka përcjellë. Pasi janë larguar rreth 5-6 kilometra, i është ndezur një dritë vezulluese e ngjashme me atë të policisë. Meqenëse ka qenë zonë e kufizuar me 60 kilometra në orë dhe ai ka ecur me 80 kilometra shpejtësi, ka menduar që është policia e shtetit”.

“Në momentin që është ndalur, ajo makinë që ishte me drita të policisë i është afruar shumë afër nga prapa, ndërsa makina tjetër e ka bllokuar pjesën e përparme të makinës dhe kanë filluar të shtëna me kallashnikov dhe me britma e me pistoletë në kokë i kanë nxjerrë nga makina. I kanë shtrirë për tokë, i kanë bastisur, të gjitha pajisjet ua kanë marr”.

Ahmetaj po ashtu u shpreh se për ta ishte interesante pyetja që ua bënë grabitësit në ato momente, duke i thënë ‘a ka makina juaj GPS, e Meritoni i ka thënë se po’. Më pas tha se e kishin vazhduar rrugën në drejtim të Morinës.

Ai megjithatë shprehet se vlera e veturës 42 mijë euro nuk ka rëndësi fare për të, por që autorët të kapen dhe këto fenomene të pahijshme të mos përsëriten, sidomos në shtetin shqiptar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore