Shqipëria

Shqipëri-Kosovë, qeveritë do të takohen më 26 nëntor në Elbasan


Kosovë-Shqipëri: Mbledhja e mbajtur më 2 tetor 2020

Më 26 nëntor, në qytetin e Elbasanit, do të mbahet një takim mes Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj së Kosovës.

Lajmi është bërë i ditur për Albanian Post nga burime konfidenciale. Arsyeja dhe çfarë do të diskutohet mes dy Qeverive nuk dihen ende.

Më 27 shtator, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi një vizitë zyrtare me homologun e tij në Kosovë, Albin Kurti.

Kurti, në takimin e zhvilluar me dyer të mbyllura me Ramën, tha se kishin rënë dakord për një sekretariat koordinues për marrëdhëniet dypalëshe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në një konferencë të përbashkët me Ramën theksoi sfidat në të cilat të dy kryeministrat i kanë marrë mandatet e reja për qeverisje.

“Mandatet e dy qeverive tona i kemi marrë në një kohë me plot sfida, përballja me pandeminë me COVID-19, rimëkëmbja ekonomike dhe zhvillimi i institucioneve demokratike janë disa nga sfidat tona për të cilat do të angazhohemi së bashku”, deklaroi asokohe Kurti.

Përtej sfidave, Kurti theksoi se të dyja qeveritë kanë mundësi e potencial për të realizuar projektet, duke rritur bashkëpunimin.

“Do të punojmë së bashku që tregu të jetë sa më unik. Nëse ka vende që kjo duhet të bëhet sa më shpejt, këto janë pikërisht Kosova e Shqipëria, sepse jo vetëm që e njohim njëra-tjetrën, por edhe e kemi besimin e plotë te njëra-tjetra”, ishte fjala e Kurtit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me një ceremoni shtetërore.

Ndërsa Rama, në fjalën që mbajti, deklaroi se, “vëllain dhe fqinjin nuk i zgjedh, me vëllain të lidh gjaku, të lidh familja, të lidh e shkuara dhe e ardhmja, me fqinjin të lidh fakti se atë e ke aty”.

Gjatë konferencës, kryeministri shqiptar foli edhe për nismën rajonale të kurorëzuar “Open Balkan” – nismë ku Kosova nuk ka marrë pjesë – duke e konsideruar atë si rruga e përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Pas ngjarjeve të fundit në Kosovë kam kuptuar se Ballkani i Hapur është rruga e përbashkët për të mirën e dy vendeve”, ishte fjala përmbyllëse e Ramës.

Vizita njëditore e kryeministrit Rama në Kosovë u bë me ftesë të Kurtit. Gjatë asaj vizite, ai u takua edhe me liderët e partive politike opozitare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore