Shqipëria

Shqipëri/ Asnjë humbje jete nga Covid-19


Gjatë 24 orëve të fundit nuk është regjistruar asnjë humbje jete nga coronavirus-i, por kanë rezultuar pozitiv 34 persona.

Kjo ditë ka shënuar ulje të numrit të rasteve të reja në krahasim me një ditë më parë.

Vetëm pesë pacientë janë duke marrё aktualisht trajtim spitalor.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 121 pacientë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 130 mijë e 109 që nga fillimi i epidemisë.

Që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri, kanë humbur jetën 2 mijë e 456 qytetarë. Janë kryer 868 mijë e 822 testime totale dhe 3 mijë e 348 testime ditore.

Aktualisht janë 232 raste aktive me Covid-19 në të gjithë vendin.

Përkatësisht 93 raste në Tiranë, 18 në Elbasan, 25 në Vlorë, 22 në Durrës, 12 në Fier, 14 në Shkodër, 14 në Lezhë, 21 në Kukës, shtatë në Korçë, dhe një në Gjirokastër.

 Masat e reja lehtësuese

Nga 1 korriku kanë hyrë në fuqi masat e reja kundër Covid-19, me një lehtësim të dukshëm pas rasteve të vazhdueshme në ulje dhe një fushatë vaksinimi ndër më të suksesshmet në Evropë.

Aspekti më kryesor është ai i heqjes së mbajtjes së detyrueshme të maskave në ambientet e hapura publike. Pavarësisht kësaj, barriera mbrojtëse do të jetë e detyruar të mbahet në ambientet e mbyllura. Po ashtu, edhe në ambiente të jashtme, ku është e pamundur të ruhet distancimi social.

Ora policore do të pësojë gjithashtu ndryshim, duke lejuar lëvizjen për një orë më shumë. Nga një orë policore prej 23:00-06:00, ajo do të shtyhet në 24:00 dhe do të përfundojë në 06:00.

Nga këto lehtësime, nuk përftojnë klubet e natës dhe diskot. Ato do të vijojnë të jenë të mbyllura, ndërsa muzika do të lejohet deri në orën 23:00.

Kjo e fundit hyri në fuqi sot nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Fushata e vaksinimit

Fushata e vaksinimit masiv vijon gjithashtu me ritme të shpejta. Ndërkohë deri më tani janë vaksinuar mbi 1 milionë e 60 mijë shqiptarë.

Mbi 400 mijë qytetarë, i kanë kryer të dyja dozat e vaksinës anti-Covid.

Në Shqipëri kanë mbërritur deri tani mbi 1 milionë doza të vaksinave anti-Covid, ndërsa janë siguruar përmes kontratave të deritanishme, 2.4 milionë doza.

Që prej fillimit të vaksinimit masiv të popullsisë, Shqipëria renditet ndër vendet me fushatat më të suksesshme të dozave të administruara për banor.

Katër janë vaksinat e përdorura në vendin tonë: Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac.

Ministria gjithashtu ju bën apel të gjithë qytetarëve të mos e ulin vigjilencën. Apel ka edhe për vijimin e zbatimit të rregullave për parandalimin e Covid-19.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore