Stil

Shqipëria, 63 vjet në UNESCO


Teksa sot, më 16 tetor 2021, Shqipëria kujton 63 vjetorin e anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave feston përmes dy dorëshkrimeve të mirënjohura, Beratinus 1 dhe 2, të cilët u bënë pjesë e Regjistrit të Kujtesës së Botës në vitin 2005.

Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara (UNESCO) është një prej agjencive të specializuara të OKB-së, e cila është krijuar në vitin 1945.

Qëllimi i saj është të kontribuojë në mbarëvajtjen e paqes dhe sigurisë duke promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar në fushat e edukimit, shkencës, kulturës dhe komunikimit, duke nxitur respektin për drejtësinë universale, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut dhe të drejtat themelore të proklamuara në Kartën e OKB-së.

Është pasardhësi i Komisionit Ndërkombëtarë për Bashkëpunimin Intelektual të Ligës së Kombeve.

Vizioni i themelimit të UNESCO-s lindi në përgjigje të një bote e cila ishte e karakterizuar nga racizmi, dhuna dhe antisemitizmi. Edhe mbas shtatëdhjetë vjetësh si dhe pas shumë përpjekjesh çliruese, mandati i UNESCO-s është më i rëndësishëm se kurrë.

Diversiteti kulturor është nën sulm dhe format e reja të intolerancës, refuzimi i fakteve shkencore dhe kërcënimet ndaj lirisë së shprehjes sfidojnë paqen dhe të drejtat e njeriut.

Si kundërpërgjigje, detyra e UNESCO-s mbetet të riafirmojë misionet humaniste të arsimit, shkencës dhe kulturës.

Shtatë pasuritë shqiptare, pjesë e Trashëgimisë Botërore nga UNESCO

Shqipëria njihet për pasuritë e saj të shumta natyrore, shpirtërore dhe kulturore, shtatë prej të cilave UNESCO i ka vendosur në listat e trashëgimisë botërore.

Liqeni i Ohrit

Liqeni i Ohrit me një thellësi prej 285 m, është më i thelli në Ballkan dhe lag në pjesën më të madhe të tij Maqedoninë (Ohër, Strugë), dhe Pogradecin në Shqipëri.

“Liqeni i dritës” u shpall pasuri natyrore nga UNESCO në vitin 1980 dhe, që prej korrikut te vitit 2019, është pjesë e listës së UNESCO-s edhe pjesa shqiptare e liqenit.

Plot katër milionë vjet janë dashur që të krijohet një liqen i këtyre përmasave, dhe gjithçka filloi kur nisi të shembej toka në pjesën perëndimore të Alpeve Dinarike.

Sot, ky liqen i bukur i mjelmave është një ekosistem që përmban më shumë se 200 specie, duke përfshirë koranin, peshkun e shijshëm i cili noton vetëm në këto ujëra.

Ka shumë vende të bukur, si Pogradeci, fashti Lin apo edhe shumë fshatra të tjerë në këtë zonë të cilët rrethohen nga pamja qetësuese e këtij liqeni e ku kjo e fundit mund të shijohet më së miri.

Lumi i Gashit

Me një sipërfaqe prej 3000 ha, lugina e Gashit gjendet në pellgun e parkut kombëtar të Valbonës, në verilindje të Alpeve, në rrethin e Tropojës, shumë larg zonës së banuar.

Një pjesë e madhe e sipërfaqes së Lumit të Gashit mbulohet me pyje të virgjëra ahu e këto pyje të lashta janë arsyeja pse Shqipëria i është bashkuar 12 vendeve të tjerë në listen e UNESCO-s.

Kjo mrekulli natyrore ruan një nga natyrat më të paprekura në Shqipëri! Në afërsi të Lumit të Gashit ndodhen liqejtë akullnajorë të Dobërdolit dhe Sylbicës, të cilët i dhurojnë gjithë zonës një pamje përrallore.

Rrajca

Rrajca është gjithashtu pjesë e European Green Belt të pyjeve të ahut si një prej vendeve të pakta ku gjendet rrëqebulli ballkanik. Pranë zonës së Përrenjasit apo Librazhdit, kjo hapësirë prej 4700 ha, pëfshin katër liqene të mahnitshme akullnajore. Rrajca është pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanica, i cili është ende relativisht i panjohur sepse ka qenë zonë e ndaluar kufitare gjatë gjysëm shekulli të diktaturës komuniste. Ishte pikërisht kjo mbyllje, që sot përbën dhe një nga asetet më të mëdha të tij, pasi rreth 34 mijë ha sipërfaqe plot me pyje, livadhe e lule shumëngjyrëshe, janë tejet të paprekura.

Berati

Berati me arkitekturën e veçantë të tij, ka bërë që të pozicionohet si një nga vendet e Trashëgimisë Botërore UNESCO në Shqipëri.

I ndarë në dy lagje historike, Mangalemin dhe Goricën, nga lumi Osum, qyteti bashkohet përmes urës së gurtë të Goricës.

Ky qytet, një herë e një kohë i quajtur Antipatrea, është i rrethuar nga Tomori dhe Shpiragu, dy nga malet më mitike të Shqipërisë.

Berati zë vend të veçantë dhe në hartën e adhuruesve të natyrës. Ngjitje mali, çiklizëm, rafting apo kayaking janë vetëm disa nga aktivitetet në natyrë që mund të realizoni përreth këtij qyteti. Kalaja mesjetare e Beratit bashkë me Muzeun Kombëtar të Onufrit ofrojnë gjithashtu një udhëtim të rrallë.

Për mos t’u harruar pa përmendur janë edhe Qendra Mesjetare në Berat e kuzhina e famshme e këtij qyteti.

Butrinti

Butrinti u shpall si vend i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO në vitin 1992 dhe kryeson çdo listë ndërkombëtare të atraksioneve që duhen parë në Shqipëri! Rrënojat e tij 2500-vjeçare brenda një parku madhështor të gjelbërt e me një hapësirë prej 30 km, janë disa nga më të bukurat e të mirëmbajturat në Evropë.

Teatri i shekullit të III-të para Krishtit, Tempullit i Eskulapit (shek I – II), perëndisë antike të shëndetit, dhe mozaiku me 69 medaljone kishtare janë vetëm tre prej kryeveprave të Butrintit.

Liqeni i Butrintit, kanali i Vivarit që lidh luginën e Butrintit me detin Jon, Kalaja trekëndore e ndërtuar aty pranë, si dhe pyjet e dendura që veshin gjithë peizazhin janë disa nga arsyet pse Buthrotum-i i lashtë përmendet në poemën epike të Virgjil-it, Eneidi.

Gjirokastra

Ky qytet i veçantë është ndërtuar në shpatet e pjerrëta, me shtëpitë prej guri që duket sikur janë ngritur mbi njëra-tjetrën. Aty gjendet pazari dhe kalaja më e vjetër e gjithë Ballkanit së bashku me shtëpitë më të famshme në vend, si ajo e fëmijërisë së Ismail Kadaresë apo Enver Hoxhës, por edhe të familjeve të tjera vendase të shquara, në rrugët me kalldrëm të këtij qyteti. Qyteti i gurtë njihet jo më pak edhe për panoramën e tij malore, e cila e rrethon Gjirokastrën në tërësi. E sikur të duhej më tepër, në rrethinat e Gjirokastrës gjenden qytetet e bukura antike të Antigonesë dhe Adrianopolit si edhe disa bukuri të rralla natyrore si Liqeni i Viroit dhe Kanioni i Lengaricës ndër shumë të tjera.

Kodiku i Purpurt i Beratit

Kodiku i Purpurt i Beratit, i klasifikuar nga UNESCO te “Memorja e botës”, daton në shekullin VI dhe është i shkruajtur në pergamenë të purpurt. Ai është një nga katër kopjet e vetme të gjetura në të gjithë botën.

I dyti është Kodiku i Artë (Codex Aureus) i shekullit IX, i shkruajtur në pergamenë me shkronja ari.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore