Lajme

Shqetësimi i socialdemokratëve të Suedisë për anëtarësimin në NATO


Ish-ministrja e jashtme suedeze, Margot Wallström, fillimisht do t’i përshkruante opinionet se vendi i saj duhet të hyjë në NATO si “absurde”.

Tani 67-vjeçarja e socialdemokratëve të qendrës së majtë në pushtet nuk është aq kategorike në lidhje me perspektivat e anëtarësimit të vendit të saj në aleancën ushtarake perëndimore.

Wallström, e cila po luan një rol qendror në debatin e shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës, në një intervistë ka deklaruar se është e rëndësishme të ndihmohet kryeministrja dhe liderja e partisë Magdalena Andersson, që të vendosin mbi këtë temë kaq të ndjeshme, saqë mund të përçajë socialdemokratët përpara zgjedhjeve të përgjithshme në shtator.

Ish-ministrja e Jashtme suedeze, Margot Wallström

Ajo la të kuptohet se aplikimi për anëtarësim në NATO ishte një rezultat i mundshëm.

Ndryshimi i qëndrimit brenda një prej forcave politike të Suedisë, që është kujdesur thellë për mosangazhimin e vendit nordik, është një aspekt i tronditjes së sigurisë që ka shkaktuar Vladimir Putin duke vendosur të sulmojë Ukrainën, një vend tjetër joanëtar të NATO-s dhe duke u përpjekur të rrëzojë qeverinë e saj.

Këtë javë, Parlamenti i Suedisë do të nxjerrë një raport mbi NATO-n, përpara një zyrtarizimi të mundshëm të pozicionit të vendit që pritet të bëhet publike nga partia në pushtet në fundjavë.

Deri atëherë, në Finlandën fqinje, presidenti Sauli Niinistö, dhe kryeministrja Sanna Marin, gjithashtu do t’i kenë bërë të qarta pozicionet e tyre – me gjithçka që tregon se Helsinki thotë “po” për t’iu bashkuar aleancës perëndimore.

Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, dhe presidenti i Finlandës, Sauli Niinistö

Në Finlandë, debati i NATO-s ka qenë i gjerë dhe kryesisht konsensual në të gjitha partitë politike. Por, në Suedi, në masë të madhe zbret te socialdemokratët, të cilët kanë zënë vendin e parë në çdo zgjedhje që nga viti 1917.

Të moderuarit dhe tre parti të tjera të qendrës së djathtë kanë mbështetur prej kohësh anëtarësimin. Madje, edhe nacionalistët demokratë suedezë kanë ndryshuar mendje për ta mbështetur atë nëse Finlanda bashkohet.

“Ky është vendimi i vetëm më i rëndësishëm që ka marrë ky vend”, tha një ekzekutiv suedez i biznesit.

“Dhe ne po marrim këtë vendim me shpejtësi marramendëse”.

Pas 200 vitesh pa luftë dhe dekada angazhimesh publike për paqebërjen dhe çarmatimin bërthamor, është e vështirë të mbivlerësohet rëndësia e mosangazhimit ushtarak për shpirtin e socialdemokratëve suedezë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore